E Diel, 1 Nëntor 2026

Do liberalizojmë lejet e ndërtimit

06/04/2005  Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha premton lehtësira në kreditë për shtëpi

Shoqata e ndërtuesve üaraqet tre ankesa në selinë Blu

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar liberalizimin e licensave të ndërtimit dhe rritjen e mundësive të kreditimit për shtëpi. Pas takimit me shoqatën e ndërtuesve, Berisha u shpreh se PD-ja, në programin e saj qeverisës, ka si synim parësor goditjen e monopoleve, si dhe plotësimin e standardeve të konkurrencës së lirë për ndërtuesit shqiptarë. “Unë garantova se do të goditet monopoli i lejeve të ndërtimit dhe se ne jemi të gatshëm të mbështesim amendamentet që shoqata ka paraqitur për ligjin e prokurimeve publike, si dhe për liberalizimin e lejeve të ndërtimit”, tha Berisha.

Ndërtuesit

Gjatë takimit me liderin e PD-së, krerët e shoqatës së ndërtuesve bënë një rezyme të gjendjes aktuale të këtij sektori të ekonomisë në Shqipëri. Kryetari i shoqatës së ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi, tha se tri janë problemet, që ndërtuesit i shohin si më shqetësuese gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Monopolizimi i lejeve të ndërtimit, mungesa e projekteve për investimet në ndërtim, si dhe ngritja e shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit në nivelet e administratës, ishin temat më të diskutuara mes ndërtuesve dhe kreut demokrat. “Në emër të shoqatës, dhashë shqetësimet dhe ngrita tri probleme të mëdha. E para, është ajo e lejeve të ndërtimit, që kanë shkuar duke u ngushtuar drejt monopolizimit. Problemi i dytë shqetësues i shoqatës, që kërkon në katër vitet e ardhshme, është dyfishimi i fondeve të investimeve. Secila forcë politike, që kërkon të vijë në pushtet në këtë bum të madh ndërtimesh për katër e vitet e ardhshme duhet të përgatisë projekte për financim. Problemi i tretë, janë përpjekjet për ngritjen e shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, ne kemi përgatitur një kërkesë për amendimin e ligjit të prokurimeve, për të cilin kemi punuar për gjashtë muaj dhe ia kemi dërguar që në muajin nëntor Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe nuk kemi marrë përgjigje”, tha Bumçi.

Kreditimi

Një tjetër temë diskutimi në takimin e Berishës me ndërtuesit kanë qenë dhe mundësitë e kreditimit për strehimin. Kreu demokrat tha se në rast se PD-ja fiton zgjedhjet do të merren parasysh kërkesat për rritjen e investimeve në ndërtim dhe lehtësi në marrjen e kredive për banesa. “Shoqata kërkon që të mundësohet mobilizimi i kapitaleve financiare të vendit, gjë e cila është shumë e domosdoshme. Të liberalizohen kreditë, të rriten investimet, është një kërkesë legjitime e tyre. Unë garantova drejtuesit e shoqatës se Partia Demokratike në programin e saj insiston në liberalizimin e lejeve. Ne tashmë kemi porositur bashkitë tona që të shpejtojnë procedurat dhe të ofrojnë troje publike mbi bazën e ofertës dhe të transferohen dokumentet e pronësisë”, tha Berisha.

Do amendojmë ligjin e shtesave

Partia Demokratike e konsideron procesin e legalizimit të shtesave pa leje si të dështuar dhe deklaron se do të kërkojë amendimin e këtij ligji. Kryetari i PD-së, Berisha, tha se nëse opozita vjen në pushtet do të përdoret një skemë më e thjeshtë për komplementimin e këtij procesi. “Shqetësim madhor është fakti që ligji për legalizimet e shtesave është i dështuar totalisht. Që nga koha që ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare e deri më sot, nuk ka qenë e mundur të bëhet asnjë legalizim. I garantova përfaqësuesit e shoqatës së ndërtuesve se ligji për legalizimin e shtesave do të amendohet dhe do të përdoret skema më e thjeshtë dhe më e mundshme e legalizimit dhe të kompletimit të tij”, tha Berisha. Nga ana tjetër, kreu demokrat garantoi ndërtuesit se, në rast se PD-ja fiton zgjedhjet, do të ketë në qendër të vëmendjes zhvillimin e ndërtimit. “Dua të falenderoj përfaqësuesit e shoqatës për shqetësimet dhe sugjerimet që shfaqën dhe garantoj se për PD-në ndërtimi është promotori i zhvillimit. PD është e vetëdijshme për kontributin e tyre në procesin e zhvillimit dhe mbetem i vendosur për krijimin e shanceve të barabarta dhe për vlerësimin e potencialit të tyre”, tha Berisha.

Gati amendamenti për koncensionet Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje se Kryeministri Nano ka bërë gati dokumentet për 10 koncensione në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Sipas tij, për mënyrën se si po kryhet procesi i privatizimit në vend ka shprehur shqetësimin dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Nadir Muhamed. "Kam patur një takim me drejtuesin e BB në Shqipëri me dëshirën e tij. Në këtë takim çështje kryesore e ngritur nga shefi i BB për Shqipërinë ishin praktikat e dëmshme jo transparente tepër të dëmshme, për interesat e publikut shqiptar dhe ekonomisë, në koncesionet të përdorura nga qeveria aktuale. Pas këtij takimi, unë informohem se Kryeministri Fatos Nano ka bërë gati 10 koncesione të tjera, që të gjitha në kundërshtim flagrant me ligjin, standardet ndërkombëtare dhe në interes të plotë me xhepat e arkës së tij private. Në Këshillin e Ministrave janë dokumentet për 10 koncesione të tjera. Në këtë kontekst do të ketë një nismë urgjente parlamentare për të mbrojtur këto pak pasuri publike që kanë mbetur të qytetarëve shqiptarë", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›