E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nis takimet me aleatët për koalicionin parazgjedhor

06/04/2005  Dule: Nuk kam ndërmend të takoj përfaqësuesit socialist

Partia Socialiste ka filluar takimet me aleatët e "Koalicionit për Integrim", ku janë diskutuar formulat e para të bashkëpunimit. Dje, në mesditë, kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli, ka zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Ruçi dhe me kryetarin socialist, Nano. Ndërsa gjatë javës, takime do të ketë dhe me drejtues të partive të tjera. I kontaktuar nga "Metropol", kryetari i agrarëve, Lufter Xhuveli, tha se "ky bashkëpunim duhet të jetë i hapur dhe nuk do të pranohen zona të lira". Ai ka konfirmuar se drejtuesve më të lartë socialistë u është kërkuar që të mos paraqesin si formula të bashkëpunimit, kritere preferenciale. "Çdo bashkëpunim duhet të jetë në baza reciproke. PAA-ja nuk është dakord për të zhvilluar një tryzezë të përbashkët me aleatët e koalicionit, pasi nuk do të ishin efiçente, por do të kishin vlerë për mediat", tha Xhuveli. Nga ana e tij, Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, tha se "nga java tjetër do të kemi takim bilateral, ku PAD-së do të paraqesë të gjitha interesat e partisë. Tryeza e përbashkët e aleatëve të "Koalicionit për Integrim" do të sintetizonte të gjithë interesat e aleatëve". Në këtë mënyrë, ai e ka cilësuar tepër të nevojshme, thirrjen e një tryeze për të bashkuar "Koalicionin për Integrim". Ndërsa kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha se nuk ka marrë pjesë në asnjë tryezë bilaterale negociatash me PS-së dhe "nuk kemi ndërmend të marrin. PBDNJ-ja do të dalë e vetme në zgjedhje dhe nuk bashkëpunon me asnjë forcë politike para zgjedhjeve". Duket se nisja e takimeve mes socialistëve dhe partive të tjera kanë sjellë dhe një përplasje të qëndrimeve. Ndërsa janë përfaqësuesit e PBDNJ-së, që kanë deklaruar ndarjen përfundimtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›