E Diel, 1 Nëntor 2026

Koja: Memushi ka prodhuar korrupsion.

06/04/2005  Krerët socialistë hedhin dyshime të forta mbi testet e konkurseve në shkollat e larta

"Është fatkeqësi qeverisja në këto vite e arsimit nga Memushi"

Zëdhënësi politik i Partisë Socialiste, Gjegj Koja, ka akuzuar nga Durrësi ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, për korrupsionin e prodhuar në institucionin që drejton. Koja ka shfrytëzuar takimin me maturanët e shkollave të mesme të qytetit për të shkarkuar përgjegjësinë e qeverisjes në arsim te Memushi, duke thënë se ai ka krijuar një imazh të keq për institucionin që drejton. Reagimi i Kojës vjen vetëm një muaj, pasi Nano shprehu akuzat ndaj drejtimit të Memushit. Duket se Nano ia ka deleguar zëdhënësit politik të lehtësojë barrën e keqqeverisjes, duke pretenduar se janë pikërisht ministrat si Memushi, ata që kanë vënë në rrezik të ardhmen e qeverisjes nga socialistët. Sipas tij, qeverisja e arsimit nga Memushi në këto vite është një faktkeqësi. "Është fatkeqësi qeverisja në këto vite e arsimit nga Memushi", tha Koja.

Kritikat

Kritikat janë përqëndruar edhe në drejtim të testeve të formuluar për konkurset e pranimit në shkollat e larta dhe konkretisht në abuzimet e vërejtura dhe në nivelin e lartë të korrupsionit që prodhoi praktika e ministrit Memushi. “Testet e pranimit të miratuara nga Memushi, janë formuluar në mënyrë të tillë që abuzivizmi dhe korrupisoni të lulëzojë në administratën arsimore”. Toni tejet kritik i zëdhënsit politik të selizë rozë vjen në një kohë që sektori i arsimit, përmes krerëve të sindikatës, ka paralajmëruar rifillimin e grevës së përgjithshme në të gjithë arsimin parauniversitar, kryesisht për piramidën e pagave. Në takimin e zgjeruar, ku ka qenë i pranishëm deputeti Gazmir Bizhga dhe drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Koja ka premtuar liberalizimin e sistemit të pranimeve në universitet.

Premtimi

Kryetari i FRESSH, njëkohësisht zëdhënës politik i PS-së, ka thënë se praktikat e reja të pranimeve do të jenë shumë më liberale. "Do t'i japin fund maskaradës dhe budallallëqeve të gatuara nga Luan Memushi”, ka vijuar deputeti Koja. Në takim kanë marrë pjesë maturantë, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare dhe kjo ka nxitur Kojën të tregojë kujdes në marrjen përsipër të politikave të reja arsimore. Në këtë kuadër, ai ka theksuar se në vitin e ri akademik është menduar edhe për ata studentë, të cilët shohin si të vetmen shpresë për të vijuar studimet radhët e gjata para ambasadave, kryesisht asaj italiane. “Ju jeni dëshmitarë se si maturantët tanë dynden para ambasadës italiane për të marrë vizë, pasi atyre u është mbyllur dera e universiteteve tona”, ka thënë Koja. Ndaj, liberalizimin e praktikave për të ndjekur universitetet tona për studentët shqiptarë, sipas Kojës, është mundësi për të nxitur maturantët të zgjedhin fakultetet në Shqipëri.

Partitë në garë për strategjinë

Partitë politike janë përfshirë nga një garë premtimesh mbi strategjinë e arsimit në Shqipëri. Përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se objekt i punës së tyre do të jetë dyfishimi i pranimeve në universitet, dyfishimi i pagave të mësuesve dhe pedagogëve, autonomia financiare si dhe modernizimi i shkollave dhe fakulteteve. Strategjia e opozitës aktuale është paraqitur dy javë më parë prej dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe janë mbështetur prej anëtarëve të Komitetit të Orientimit të Politikave. Gjithashtu strategjia ka paraqitur afate konkrete për zbatimin e strategjisë.

Paralelisht me këtë, socialistët janë duke diskutuar mbi strategjinë e arsimit. Për këtë është theksuar se mazhoranca aktuale do të synojë njohjen e diplomave shqiptare jashtë shtetit si dhe krijimin e autonomisë së universiteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›