E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Ditën e votimit, Forcat Speciale në karantinë

06/04/2005  Policia nuk do të lejohet të qëndrojë në qendrën e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje udhëzimin mbi rolin e policisë para dhe gjatë ditës së votimit. Me 6 vota pro dhe një kundër të socialistit Tomor Malasi, anëtarët e KQZ-së kanë votuar për udhëzimin, i cili redukton rolin e policisë dhe të forcave të tjera të armatosura në zgjedhje. Udhëzimi shprehet qartë se siguria gjatë periudhës zgjedhore ruhet vetëm nga forcat e Policisë së Shtetit dhe të Policisë së Objekteve. Në procesin e votimit ndalohet përdorimi i “Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë” dhe atyre “Speciale”, policisë kriminale dhe asaj kufitare në ngjarje që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Gjithashtu ndalohet përdorimi i forcave të Policisë së Shtetit dhe atyre të ushtrisë në veprime që mund të çojnë në cënimin e vullnetit të shtetasve gjatë ushtrimit të së drejtës së votës. Udhëzimi i KQZ-së ndalon përdorimin e strukturave apo punonjësve të SHISH-it në ngjarje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, gjithashtu nga ky proces ndalohet dhe përdorimi i forcave ushtarake apo atyre komando. Në bazë të udhëzimit në ditën e votimit forcat e policisë do të qëndrojnë të dislokuara në komisariatet e policisë, ose larg qendrave të banuara. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të dërgojë një muaj përpara ditës së zhvillimit të votimeve në KQZ listën e policisë që do të ruajnë qendrat e votimit dhe këta duhet të paraqiten vetëm me armatim personal, si dhe të kenë shenja të qarta identifikimi. Për sa i përket transportit të materialeve zgjedhore nga KQV-të në KZZ, kjo do të bëhet pas kërkesës së kryetarëve të KQV-ve të cilët do të njoftojnë komisariatet e policisë dhe këta të fundit do të dërgojnë pranë qendrave të votimit punonjësit, që do të ngarkohen me këtë detyrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›