Do ndryshohet skema e pensioneve
• Qeveria ka vendosur të ndryshojë skemën aktuale të pensioneve. Pjesëmarrja në skemë është e ulët dhe si pasojë numri i pensionistëve është pothuajse i njëjtë me atë të kontribuuesve.Fabiola Çela Kështu është shprehur dje ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë seminarit “Mbi reformën në pensione”. Pikërisht për të ndryshuar këtë raport, qeveria do të kryejë një reformë në skemën e pensioneve, reformë e cila do të bazohet në tri shtylla kryesore.Skema Numri i kontribuuesve në skemë është 669 mijë persona, ndërsa numri i përfituesve të sistemit është 540 mijë persona, nga të cilët 524 mijë janë pensionistë dhe pjesa tjetër janë përfitues të programeve të ndryshme që mbulohen nga qeveria me ligje të veçanta. Numri i pensionistëve urbane është 367 mijë dhe 157 mijë janë pensione rurale. “Raporti kontribuues/përfitues është ende i vogël dhe skema paraqet një sërë problemesh të tilla, si nivel i ulët i pensioneve dhe ulje të normës së zëvendësimit. Për rrjedhojë, skema aktuale mbetet larg të qenit atraktive për publikun, pasi masa e kontributit nuk është e lidhur ngushtë me masën e përfitimit”, u shpreh Bode. Pas masave të ndërmarra nga qeveria që nga 1 janari i vitit të kaluar, në qytet nuk ka pension nën 10 mijë lekë dhe në fshat nën 5 mijë lekë. “Në zbatim të programit për përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike, është ulur masa e kontributeve të sigurimeve shoqërore me 1/3, por nga ana tjetër është rritur numri i kontribuuesve në skemë dhe fondi i kontributeve po ashtu me afro 40 për qind”, tha ministri. Por, sipas tij, mbështetur edhe në prognozat e sistemit, subvencioni i buxhetit të shtetit do të vazhdojë të ekzistojë edhe për një kohë mjaft të gjatë. Pavarësisht këtyre masave të ndërmarra deri më tani nga qeveria, përsëri funksionimi dhe qëndrueshmëria e skemës aktuale në vitet e ardhshme duket se do të jetë problematike. Për këtë arsye skema e pensioneve duhet të ndryshojë me patjetër. Të njëjtin mendim me ministrin Bode ka ndarë edhe përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camille Naumah. “Progresi i këtij sektori, në seminarin ‘Mbi reformën në pensione’, është zgjidhja më e mirë për të dhënë efekte në ekonomi”, tha ajo. Duke u ndalur në rëndësinë e procesit të reformave në sistemin e Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri, Naumah shprehu besimin “për gjetjen e një formule që do të përkrahet nga të gjithë, sigurisht duke u mbështetur në eksperiencat ndërkombëtare dhe reformat në pensione e kostot e punës”. Ndërsa sipas drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, gjatë vitit të fundit ISSH ka realizuar një lidhje më të fuqishme midis kontributeve të paguara dhe shumës së përfitimeve lidhur me llogaritjen e bazës së vlerësuar për llogaritjen e pensionit apo të indeksimit të pagës neto, si dhe ka bërë përmirësime ligjore edhe për disa probleme që kanë lindur gjatë praktikës së punës për zbatimin e ligjit, duke kryer reduktimin e mëtejshëm të normës së kontributit, e cila vazhdonte të mbetej e lartë (reduktimi me 9% nga 38.5% në 29.5% dhe dega e pensioneve nga 29.9% në 23.9%). “Aktualisht parashikimet janë realizuar, duke përdorur modelin e hartuar nga BB dhe duke u mbështetur në legjislacionin aktual”, tha dje drejtoresha e ISSH-së. Pensionistët
17 për qind e popullsisë trajtohet me pensione
669 mijë persona janë kontribuues në skemë
540 mijë janë përfitues
524 mijë janë pensionistë
367 mijë është numri i pensionistëve në qytet
157 mijë numri i pensionistëve në fshat
10 mijë lekë është niveli më i ulët i pensionit në qytet
5 mijë lekë është niveli më i ulët i pensionit në fshat
Tri shtyllat ku do të bazohet reforma Shtylla e parë, përmes së cilës kryesisht garantohet mbrojtja e të moshuarve nga varfëria. Kjo shtyllë duhet të jetë e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit;Shtylla e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo shtyllë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizimin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë;Shtylla e tretë, e cila është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizimin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve.