Qytetarët në radhë për abonetë e autobusëve
• Kryeqytetasit nuk kanë shpëtuar aspak nga kalvari i ditëve të fundit për të marrë një abone të nevojshme për linjat urbane.Dje në pikat e shitjes së tyre një pjesë e madhe e tyre shtypeshin e ngjisheshin, pasi numri i kartave të pajtimit nuk mjaftonte. Një pjesë e tyre ishin shitur me shumicë, për t'u ofruar në stacionet e autobusëve me çmim më të lartë. "Unë e bleva tek stacioni i porcelanit me 850 lekë, ndërkohë që kushton 800 lekë normalisht. S'kemi moshë të rrimë në radhë", thotë një e moshuar. Por të njëjtën gjë e kanë bërë edhe shumë qytetarë të tjerë. Ata më të duruarit kanë pritur për orë me radhë pranë pikave të shitjes. "Kam që në orën 09:00 këtu dhe nuk e kam marrë akoma abonenë. Të studentit janë mbaruar fare, po ishalla mbeten nga këto të përgjithshmet", tha një studente, e cila priste që prej dy orësh në radhë, në pikën e shitjes në qendër të Tiranës. Dyndja vazhdoi deri pas orës 13:00. Një tjetër arsye e fluksit të madh të qytetarëve është edhe mungesa e kartave të pajtimit që prej datës 29 shkurt kur duhet të dilnin normalisht. Vonesat erdhën si pasojë e qarkullimit në treg të kartave të pajtimit false dhe pa logon dalluese. Kjo detyroi Drejtorinë e Tatimeve që të shtypte abone të reja të ndryshme nga ato të mëparshmet. Gjithçka pas kërkesës së Bashkisë së Tiranës. Nënkryetari i këtij institucioni, Eduard Shalsi, u bëri madje apel qytetarëve që të mos blejnë abone të prera, ku nuk lexohet fjala "Bashkia e Tiranës". Problemet e pajisjes me abone të qytetarëve nisën që në muajin tetor, kur shoqata e transportit qytetas denoncoi prodhimin e tyre nga një kompani fantazmë. Kreu i saj, Ferdinand Ibrahimi, kërcënoi me bllokim të linjave në rast se nuk do të zgjidhej ky problem. Pas takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të kësaj shoqate, Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u vendos që abonetë e shitura deri në atë kohë nga firma fantazmë të mos njiheshin, ndërsa të rejat të kishin një tjetër ngjyrë. z.ll