Rritet importi i naftës
• Kërkesa për karburant në vend sa vjen dhe rritet edhe më shumë pavarësisht rritjes së çmimit.Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend gjatë muajit janar importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 2,528 milionë lekëve, duke zënë 8.6 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin 2007, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 1.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës konkretisht me 84.3 për qind. Deficiti tregtar i këtij muaji është 21,851 milionë lekë, duke shënuar një rënie prej 21.9 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 24 për qind, krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i, në muajin janar të vitit 2008 u eksportuan 7,464 milionë lekë mallra, me rritje 11.9 për qind në krahasim me muajin dhjetor të 2007 dhe rritje me 11.6 për qind, në krahasim me muajin janar 2007. U importuan 29,315 milionë lekë mallra me rritje 20.6 për qind, në krahasim me muajin janar të 2007 dhe rënie 15.4 për qind, në krahasim me muajin dhjetor 2007. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 65.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 83.4 për qind dhe importi 44.2 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 9.6 për qind dhe importi 27 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Itali, Gjermani, Austri etj., dhe për importin, Kroaci, Zvicër, etj.