E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shenjtërimin e pronës private

• Zef PreçiNë gjysmën e dytë të nëntorit të vitit 2007, qeveria përcaktoi procedurat për fshirjen e “regjistrimit të paligjshëm” të pronave në hipoteka. Kjo procedurë filloi në mesin e dhjetorit dhe javën që shkoi drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave deklaroi për mediat vendase dhe të huaja se “ky veprim po bëhet pasi nga një kontroll i fundit, të paktën 5600 prona janë regjistruar në mënyrë të jashtëligjshme - 3000 prej të cilave janë në Tiranë”. Si në vendimin përkatës të qeverisë, ashtu edhe në deklarimet zyrtare rreth këtij problemi, theksi vihet në karakterin thjesht administrativ të këtij akti, gjë që presupozon që “fjalën e fundit” për ligjshmërinë e fshirjes së pronave, ashtu siç ndodh rëndom në çdo shtet normal e demokratik, e kanë gjykatat. Ndonëse opozita shfaqi menjëherë kundërshtimin e saj rreth hapave të hedhura nga qeveria në këtë drejtim, ekspertë të ndryshëm të ekonomisë paralajmëruan rrezikun se një situatë e tillë mund të sjellë shqetësime jo të pakta te biznesi dhe qytetarët lidhur me sigurinë e pronave të tyre.Personalisht mendoj se problemi i parregullsive në regjistrimin e pronave, grabitja e trojeve dhe tokave publike dhe probleme të tjera që lidhen me to, janë më të mëdha se sa duken në pamje të parë. As nuk besoj se rritja e rolit se titullarëve të institucioneve monokratike (siç është edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme) në ligjërimin apo në fshirjen (çligjërimin) e titujve të pronësisë është zgjidhja e këtij problemi. Me këtë nuk dua të them se gjykatat shqiptare, aktualisht të angazhuara në një proces “reformimi”, kryesisht me metoda populiste dhe nën një trysni politike në rritje për t’u orientuar drejt “direktivave” që lëshon ekzekutivi, do të jenë të paanshme në vendimmarrjet e tyre, duke përfshirë edhe problemet e pronësisë. Deklarimet e ministrit të Drejtësisë me tone të forta kritike mbi korrupsionin në gjykata, në analizat e hapura të javëve të fundit parathonë “thellësinë e reformave” të pritshme, të cilat uroj që të mos përfundojnë thjesht në ndërrime individësh në hierarkinë e drejtësisë. Skepticizmin tim e mbështes në faktin se deri më sot nuk është bërë publike ndonjë platformë (veç disa rregullimeve ligjore në emër dhe për llogari të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO), ndonëse raporte të rëndësishme ndërkombëtare më shumë se njëherë e kanë drejtuar gishtin mbi problemet serioze të drejtësisë shqiptare. Fshirja e pronave të cilësuara si “të regjistruara në mënyrë të paligjshme”, pavarësisht se nga cilët gjyqtarë do të “vuloset”, nuk mund të mos krijojë edhe për disa vite - ndoshta dekada zgjatje të pafundme gjyqesh, por edhe një terren për përfitime korruptive. Po le të merremi me disa aspekte të tjera të këtij procesi, tashmë të nisur e në zbatim e sipër.Së pari, legjislacioni shqiptar në fuqi parashikon që pas konstatimit dhe vërtetimit me prova shkresore dhe ligjore të shkeljeve të ligjit, transaksionet të bëhen nul, d.m.th pronat e “paligjshme” të çregjistrohen dhe të rikthehen në gjendjen fillestare. Pa dashur të marr në mbrojtje shkelësit e ligjit, është e kuptueshme nga cilido se në harkun e 17 vjetëve, për të njëjtat prona, pavarësisht mënyrës apo bazueshmërisë ligjore të regjistrimit të tyre, janë kryer disa transaksione njëra pas tjetrës. Të gjitha këto shitblerje janë kryer duke u mbështetur formalisht ne Kushtetutën e vendit, në Kodin Civil, në ligjet në fuqi për privatizimin, për pronat etj. Aq më tepër që në shumicën e rasteve, sipas hamendësimit tim, “poseduesit” e brezit të parë të pronarëve të krijuar si të tillë në mënyrë të paligjshme (në konceptin e sotëm), pikërisht për shkak të legjitimitetit të dyshimtë kanë nxituar t’i tjetërsojnë përmes transaksioneve të ndryshme. Merret me mend lehtë se shifra “5600 prona që janë deklaruar se duhen çregjistruar”, do të duhet të shumëzohet me 2, 3 apo më shumë herë për të shkuar te pika e nisjes. Personalisht nuk kam të drejtë të dyshoj në vullnetin e mirë të qeverisë në trajtimin e këtij problemi, por kjo mbetet të provohet nëse fshirja e pronave të konsideruara si të paligjshme do t’i sjellë ato në gjendje fillestare. Natyrisht që më shumë se zhurma mediatike, rreth transaksioneve të pronës të konsideruara si paligjshme, do të ndihmonte informatizimi i regjistrimit dhe ruajtjes së regjistrit të pronave, projekti i të cilës pritet të zgjasë 4 vjet…Së dyti, faji nuk ka kuptim pa fajtorët, d.m.th pa ndëshkimin e tyre. Përcaktimi në vendimin përkatës të qeverisë mbi procedurat për ekzekutimin e çregjistrimit të pronave të regjistruara në kundërshtim me ligjin, i detyrës që identifikimi i rasteve të tilla të bëhet nga regjistruesi, edhe pse në thelb përmban një fuqi prapavepruese, nuk mund të mos krijojë edhe probleme e konflikte, duke përfshirë edhe presionet korruptive të këtyre të fundit mbi paraardhësit e tyre në të njëjtin pozicion pune. Por ky element procedural, padyshim që do të ndikojë edhe në zgjatjen e kohës së përpunimit të dokumentacionit për transaksionet e reja të pronës, që ndodhin çdo ditë si dhe në shtimin e korrupsionit në radhët e administratës aktuale të pasurive të patundshme. Nuk po flas për vonesat që vijnë si rrjedhojë e mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve, siç ishte edhe rasti i pezullimit të veprimtarisë së zyrave të pasurive të patundshme gjatë dy muajve të fundit, për shkak të vonesës udhëzimi mbi tarifat e pagesave shtetit në lloje të ndryshme të transaksioneve pronësore. Pra, ndëshkimi i fajtorëve, me gjithë problematikën që mbart, është një provë tjetër e seriozitetit të qeverisë, që të ndihmonte edhe administratën e vet të kuptojë se përballë ligjit të gjithë duhet të jenë barabartë.Së treti, studime të ndryshme kanë provuar se në një vend si ky yni, ku shërbimet publike janë të dobëta, ku sistemi funksionon keq dhe karakterizohet nga një korrupsion konstant me prirje për t’u dominuar nga korrupsioni elitar, në shumicën e rasteve transaksionet e paligjshme, sidomos ato që lidhen me përvetësim të pronës publike (tokë apo truall, ndërtesa etj.) kryhen kundrejt pagesave korruptive të majme. Pra, nuk duhet të kemi dyshim se një masë e madhe nëpunësish të mëdhenj, të vegjël, të paktën dy a tre vetë në secilin prej transaksioneve të konsideruara si të paligjshme, me ose pa vetëdije; nën kërcënim apo me dashje; duke përfituar të holla apo “benefite” të tjera (p.sh. një copë tokë, ngritje në detyrë, shpërblim me post në administratën publike pas fushatës elektorale etj.), janë përfshirë në realizimin e tyre. Pra, nëse vërtet qeveria ka menduar që t’i japë një zgjidhje definitive problemit të abuzimit me pronat publike e private në 17 vitet që kanë kaluar qysh nga ndryshimi i sistemit, atëherë edhe institucionet e shumta anti-korrupsion duhet të bëjnë punën e tyre. E kjo punë nuk mund të vazhdojë si deri më sot në ngritjen e akuzave publike të pafundme për njërin apo për tjetrin ish-zyrtar të lartë, apo me arrestime të bujshme të disa nëpunësve administratës aktuale të zgjedhur si “kurbani i radhës” për të ushqyer pozitivisht opinionin publik dhe në dobi të imazhit të vendit në raportet e ndërkombëtareve. Ndëshkimi i paligjshmërisë së provuar – çregjistrimi që ka nisur i është prova më e madhe e mundshme në këtë proces – shprehet në derdhjen në arkën e shtetit të parave të përfituara në mënyrë korruptive në dëm të interesave publike dhe private. Kjo është edhe prova e vërtetë e seriozitetit të qeverisë dhe vullnetit (deri tani vetëm deklarativ) të saj për të luftuar korrupsionin në vend.Duke marrë në konsideratë atë që shumica e qytetarëve të këtij vendi i dinë dhe pranojnë si një aksiome – asnjëherë abuzuesit me detyrën nuk regjistrojnë pasuri dhe nuk depozitojnë para drejtpërdrejt në emrin e tyre, përfitoj nga rasti t’i propozoj qeverisë të hedhë një hap përpara në institucionalizimin e përpjekjeve anti-korrupsion. Sipas mendimit tim, janë pjekur kushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht rangut shoqëror dhe angazhimit në institucionet politike dhe publike, të detyrohen të deklarojnë çdo vit të ardhurat e tyre personale dhe familjare, kuptohet ata që sigurojnë një nivel të caktuar të ardhurash. Kjo do të ndihmonte t’i jepej fund edhe procesit bashkë-shoqërues të pronave të paligjshme – tjetërsimit të burimeve të siguruara nga transaksionet e tyre dhe fillimit të ndëshkimit ligjor të administratës abuzuese me detyrat publike.E nëse asnjë nga këto që analizuam më sipër nuk do të ndodhë së bashku me çregjistrimin e transaksioneve të pronës të konsideruara si të paligjshme, atëherë kujtdo në këtë vend i lind e drejta të kujtojë se “pushtetet dhe pronat e pamerituara i dhurojnë vetëm monarkët…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›