Në protestë 40 familje: Nuk dalim nga shtëpitë
• RRESHEN - Banorët e fshatit Blinisht dhe Mashtërkorë, në komunën Orosh të Mirditës, shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i segmentit Durrës-Kukës nuk pranojnë të largohen nga banesat e tyre pa marrë paratë e shpronësimit.Sipas tyre, vlerësimi i dhënë nga shteti për banesat e tyre nuk është real dhe nuk mund t'u sigurojë atyre një vendstrehim të ri. Edhe pse një shkresë e Policisë Ndërtimore u ka dhënë ultimatumin për boshatisjen e banesave brenda 5 ditëve banorët nuk heqin dorë nga pretendimet e tyre. "Fadromat e Policisë Ndërtimore nuk do të prekin banesat tona, para se të na krijohen mundësitë reale për sigurimin e shtëpive të reja", deklarojnë ata. Simon Kola, njëri nga anëtarët e 40 familjeve të rrezikuara, pohoi për gazetën se nuk do të largohet nga shtëpia e tij para se shteti t'i japë atij paratë e shpronësimit. "Nëse policia do të më vijë siç më është komunikuar që të na nxjerrë me dhunë nga shtëpia nëse nuk largohemi për 5 ditë, unë do të bëhem kamikaz, pasi nuk kam ku të iki. Po kështu nuk jam dakord me vlerësimin që i kanë bërë shtëpive tona", u shpreh ai. Sipas Kolës, shteti duhet të dërgojë sërish komisionin për të vlerësuar realisht banesat. Të njëjtin shqetësim shtrojnë edhe banorë të tjerë. Ndue Prendi, pronari i një tjetër shtëpie që duhet të shembet nga ndërtimi i rrugës, pohoi se komisioni i vlerësimit e vlerësoi shtëpinë e tij 2.4 milionë. Ndërsa, pasi ai ka kërkuar rishikim të vlerësimit, fatura e re ka qenë 3.08 milionë lekë. Por ai u shpreh se këto para nuk kanë kaluar ende në llogarinë e tij bankare, të hapur enkas për tërheqjen e parave. "Unë nuk kam ku të iki pa marrë lekët, shteti të më gjejë edhe mundësi strehimi", tha ai. Marie Prenga, nëna e katër fëmijëve jetimë, tha se shuma e parave me të cilën është vlerësuar shtëpia e saj është krejt e pamjaftueshme. "Unë nuk dal nga shtëpia edhe sikur fadromat të kalonin mbi trupin tim", tha ajo. Disa nga shtëpitë e banoreve të fshatrave Blinisht dhe Mashtërkorë duhet të shemben pasi preken nga projekti i rrugës Durrës-Kukës. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, ata do të shpronësoheshin në bazë të vlerës së vendosur nga një komision vlerësimi. r.nPunëtorët rrisin çmimin e qiraveQyteti i Mirditës tashmë është shndërruar në një "qytet" të mbipopulluar. Banorët e saj të përkohshëm janë punëtorët e firmës, që po kryen ndërtimin e një prej segmenteve të rëndësishëm të autostradës Durrës-Kukës. Që prej vendosjes së tyre, pronarët e shtëpive po nxjerrin përfitime të mëdha nga qiratë e caktuara. Për një banesë të zakonshme, vlera e një qiraje mujore është 300 euro. Aty strehohet një pjesë e madhe e punëtorëve të firmës, kryesisht inxhinierë, projektues dhe drejtues punimesh. Parashikohet që tarifa e një qiraje të vijë në rritje, pasi dhe banorët që do mbesin pa shtëpi gjatë ndërtimit të rrugës do të gjejnë si zgjidhje provizore strehimin në qytetin e Mirditës.