FMN: Referencat në paga, do largojnë investitorët
• Vendimi më i fundit i qeverisë për të aplikuar paga referuese në sektorin privat mund të largojë investitorët e huaj, pasi një nga avantazhet që ka ekonomia shqiptare janë pikërisht pagat e ulëta.Kështu është shprehur dje në një prononcim të dhënë për "Top Channel", përfaqësuesja e përhershme e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Ann Margaret Westin. "Si institucion FMN nuk është se i miraton shumë çmimet e referencës. Megjithatë duhet pasur parasysh fakti, që Shqipëria ka shifra të larta të ekonomisë informale, në këto kushte duhen marrë disa masa të tilla", ka thënë ajo. Por nga ana tjetër Westin ka theksuar se këto masa duhet të aplikohen në një kohë të kufizuar dhe vetëm për disa grupe kyçe siç janë për shembull avokatët apo shërbimi mjekësor. "Këtu mund të vendosen paga reference. Por çmime të tilla reference në të gjithë sektorët dhe në të gjithë vendin mund të shndërrohet në një makth administrativ", ka deklaruar ajo. Sipas saj një nga avantazhet që ka Shqipëria në tregun ndërkombëtar janë pagat e ulëta veçanërisht në sektorët bazë të ekonomisë. "Ndaj duke vendosur paga reference më të larta se sa janë aktualisht, nënvlerësohet ky lloj avantazhi dhe dëmtohet kështu ekonomia", ka vënë në dukje përfaqësuesja e përhershme e Fondit Ndërkombëtar në Shqipëri Westin.