E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do rrisim eksportin. Berisha Jo me energji berthamore

Qeveria parashikon të rrisë eksportin e energjisë. Lajmi u konfirmua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku është miratuar projekti për linjat e interkonjeksionit Shqipëri- Itali.  Kryeministri Sali Berisha tha se me referendumin në Itali kundër përdorimit të energjisë bërthamore, Shqipëria ka shansin e mirë për të rritur eksportin e energjisë.

Në kuadër të projektit, “Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon”, Berisha theksoi se do të inagurohet pas disa ditësh linja e interkonjuksionit me Malin e Zi, ndërsa në një hark kohor të shkurtër do të fillojë edhe ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Prishtinën.

“Këto ditë ne do të inagurojmë linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi. Në një hark kohor shumë të shkurtër fillon ndërtimi I linjës së interkonjeksionit me Prishtinën dhe më pas në Shkup. Linjat e interkonjeksionit me Italinë kanë një rëndësi strategjike për Shqipërine sepse tregu Italian është një nga tregjet energjitike më të fuqishme të Europës, sidomos edhe me referendumin e fundit me të cilin u votua kundër përdorimit të energjisë nukleare si burim energjie. Mbetet që të bëjmë gjithçka për të rritur prodhimet energjitike dhe eksportin e energjisë”- tha Berisha.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë “Berisha” ishte edhe subvencionimi i prodhimeve bujqësore. Përpara ministrave, Berisha theksoi se bimët medicinare dhe aromatike kanë vlerë të njëjtë me floririn dhe për këtë kërkoi nga ministria e Bujqësisë të hartojë projekte të mirëfillta kombëtare. Kryeministri theksoi se prodhimi dhe kultivimi i këtyre bimëve aromatike do të shërbejnë edhe si eliksiri i jetëgjatësisë së popullsisë shqiptare.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›