“Do shkëpusim çdo marrëdhënie me pushtetin”
Rama, në konferencën e parë për shtyp pas pushimeve, paralajmëron anarki
Kryetari i socialistëve, Edi Rama në daljen e parë publike pas kthimit nga pushimet prej Sheiku në Emiratet e Bashkuara Arabe, Paris, Los Angelos dhe Macao, ricikloi gjuhën e arrogantit dhe të pabindurit ndaj ligjit, duke bërë thirrje për anashkalim të ligjit dhe Kushtetutës, se kështu është më mirë për të, për të dalë nga bataku i politikës së rrënuar dhe të pa produkt që ka zënë rrënjë në kryesinë socialiste.
Ndonëse Partia Socialiste pritet t’i nënshtrohet një vale të re përjashtimesh, kryesisht ndaj atyre që kanë shprehur lirshëm kritika dhe kundërshti të ashpra ndaj kauzës së Edi Ramës dhe ndjekësve të tij, të lidhur nga interesa të ngushta përfitimi, kryesocialisti s’pranon të njohë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, duke kundërshtuar kështu zbatimin e ligjit për fletët e votimit dhe njëherazi duke përforcuar klimën e përjashtimit në strukturat e partisë. Pyetjes së medieve se cili do jetë qëndrimi i PS-së, pas 8 shtatorit 2010-ë, datë e cila përkon me dekretimin e kreut të shtetit të datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore, dhe njëherazi automatikisht do të thotë djegie të fletëve të votimit, të zgjedhjeve paraardhës, pra të 2009-s, (sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor) Edi Rama u përgjigj me arrogancën e tij karakteristike, se s’ka ndërmend t’i nënshtrohet zbatimin të ligjit dhe se do veprojë në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, për t’ju kundërvënë pushtetit!!
“Nëse digjen fletët e votimit, ne do shkëpusim çdo marrëdhënie me këtë pushtet dhe me këtë qeveri. Djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual”, u shpreh Rama, duke treguar edhe njëherë se për nuk ekziston dhe as vlen ligji dhe Kushtetuta.
Në këtë sens, Edi Rama flet për një gardh të ngushtë, të cilin ai do ta ndërtojë me shumë kujdes, për t’i bërë reprezalje pushtetit dhe Qeverisë legjitime, të dalë prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009-ë. Edi Rama dhe ndjekësit e tij, përfaqësues të përpiktë të brezit të dytë të nomenklaturës komuniste, parashikojnë një tjetër mosbindje civile rrugëve të Shqipërisë, që do të thotë një tjetër zvarritje shesheve dhe rrugicave të ngushta, çka në mënyrë personifikuese përmbledh të gjithë diapazonin e ngushtë të operimit politik të opozitës dhe liderit të saj Edi Rama.
Sigurisht që, teza të tilla të papranueshme për mendimin e lirë të opinionit publik, janë plotësisht të pranueshme nga aktorët e ideologjisë së kamur komuniste si Skënder Gjinushi dhe Gramoz Ruçi, apo brezi i dytë i pinjollëve të diktaturës, të cilët kanë gjetur strehë në ngrehinën e ylberiste të Edi Ramës.
Pikërisht mbledhja e në një strofull e kësaj klike demonstrative të shpërfilljes së ligjeve, kushtetutës dhe rendit demokratik, ka si indicie një fakt të rëndësishëm, atë të trashëgimnisë së tyre, si bij komunistësh.
Nuk është e udhës të theksohet me ngulm, apo në bazë të një aspekti tolerant paralajmërimi i Edi Ramës se nëse në shtator respektohet ligji dhe kushtetuta lidhur me fletët e votimit, ai do të provokojë dhunë dhe krizë, por opinioni publik, mendimi i lirë i analistëve jo të blerë nga lekisti milioner, ka të drejtë të dënojë këtë prirje të çuditshme të kryesocialistit, i papjekur me kulturën demokratike dhe në krizë të rëndë lidershipi. Sigurisht që ky është një problem më vete, dhe zgjidhja e vetme mund të ishte edukimi i tij, jo me doza krize dhe çmendurie mendore, por edukim i mirëfilltë për adaptimin e kulturës perëndimore, larg ndikimeve të Ramizit, Gramozit dhe Skënderit, të tre këta ish funksionarë të lartë të regjimit komunist.