E Diel, 1 Nëntor 2026

Do shkonte në Egjipt me pasaportë false, kapet

Brenda 24 orëve policia kufitare, në të vetmin aeroport që kemi ne, kap persona që tentojnë të qarkullojnë nëpër botë me pasaporta e viza false. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë dje se specialistët e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Rinas filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve" (leje qëndrimi, vula) ndaj shtetasit M.D., 21 vjeç, Komuna Shëngjin në Rrethin e Lezhës. Sipas policisë, hetimi në ngarkim të këtij personi filloi sepse dje është ndaluar në tentativë për të udhëtuar në drejtim të Egjiptit (Sharm El Sheik), duke përdorur pasaportën shqiptare në emër të tij. "Gjatë kontrollit të dokumenteve të tij u konstatua se në faqen nr. 7 të pasaportës që kishte në përdorim, ndodhej një leje qëndrimi greke e skaduar qysh në vitin 2007 dhe në faqen nr. 9 të po kësaj pasaporte ndodhet një tjetër leje qëndrimi greke e vlefshme deri në datën 30 shtator 2009, e cila dyshohet si e falsifikuar", tha policia. Sipas saj, në faqet 46, 47 dhe 48 të pasaportës ndodheshin disa vula hyrje-dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, të dyshuara si të falsifikuara. Policia tha se dosja penale i ka kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›