Prokuroria: Dëshmitarët e tjerë në Itali
Prokuroria ka gati listat e fundit të dëshmitarëve në procesin ndaj katër ish-SHIK-sve që akuzohen për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Tre shtetas të tjerë që ndodhen në Itali janë kërkuar nga prokurori i çështjes të dëshmojnë në proces, pasi kanë dijeni për ngjarjen e ndodhur në tetor të vitit 1995. "Në listën e dëshmitarëve janë edhe tre shtetas të tjerë të cilët ndodhen në Itali, mes të cilëve edhe ish-shefi i SHIK-ut i degës së Tiranës, kur u rrëmbye biznesmeni Remzi Hoxha", thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Të njëjtat burime shtojnë se vendbanimet janë gjetur, por kërkohet realizimi i kontakteve me përfaqësues ligjorë të shtetit shqiptar. Pritet që në drejtim të oficerit të kontaktit në policinë italiane të niset një njoftim për të marrë kontakte me personat përkatës, si dhe të pyeten nëse janë të gatshëm të vijnë në Shqipëri apo ta japin dëshminë në Ambasadën shqiptare në Itali.