Vlorë/ Aksident, 2 të vdekur e 4 të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën dhe 4 të tjërë kanë mbetur të plagosur si pasojë e daljes nga rruga në qafën e Llogarasë të mjetit me të cilin udhëtonin. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të premtes, në kohën kur 6 personat, që punonin në Himarë, po ktheheshin për në Vlorë me një kamion - vinç. Për pasojë kanë gjetur vdekjen Kastriot Koxha dhe Asqeri Avinjaku, ndërsa janë plagosur Mevlan e Artur Avinjaku, Mitrec Dhimo dhe Vasillaq Maili. Sipas burimeve zyrtare, mjeti me të cilin udhëtonin 6 personat e lartpërmendur, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë saj. Shkaqet e aksidentit nuk janë ende të qarta, por dyshohet se është shkaktuar si pasojë e lodhjes së drejtuesit të mjetit ose pakujdesisë në drejtim.