E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehen policët që kapën Dajtin

 

Vendimi i Qeverisë për shpërblimin e punonjësve të policisë, që morën pjesë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit zbardh detaje të reja rreth operacionit misterioz. Këshilli i Ministrave vendosi dje të shpërbejë me nga 1 milion lekë të reja çdo efektiv të Policisë së Shtetit, që është angazhuar në aksionin e 7 gushtit për arrestimin e të shumëkërkuarit dhe personave që e shoqëronin atë. Sipas vendimit, në buxhetin e Ministrisë së Brendshme parashikuar për vitin 2009 shtohet një fond prej 12 milionë lekë me qëllim dhënien e shpërblimit për oficerët e policisë, që morën pjesë në aksionin “Dajti”. Vendimi i Qeverisë është miratuar pas propozimit të bërë nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i cili bashkë me projektvendimin, ka dërguar në Këshillin e Ministrave edhe relacionin shpjegues. Sipas këtij relacioni, në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit ishin angazhuar 16 efektiva policie. Duke qenë se 4 prej tyre gjetën vdekjen në përballje me armë me Dritan Dajtin, Ministria e Brendshme dhe më pas Qeveria, ka vendosur të shpërblejë 12 efektivat që shpëtuan, duke i dhënë secilit një shumë prej 1 milion lekë.
Vendimi i Qeverisë
“Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi shpërblimin në masën 1 milion lekë të çdo punonjësi të policisë të forcës së posaçme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët morën pjesë në operacionin për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, thuhet në pikën e parë të vendimit të djeshëm të Qeverisë. Pika e dytë, e vendimit thekson se lista me emrat e punonjësve përfitues, do të caktohet nga ministri i Brendshëm. Më tej në pikën e tretë të dokumentit, thuhet se: “Ministrisë së Brendshme në buxhetin e miratuar për vitin 2009, i shtohet fondi prej 12 milionë lekësh për shpërblimin e punonjësve të policisë, që do të përcaktohen sipas pikës 2 të këtij vendimi”. Në fund të dokumentit, Qeveria vendos që shpenzimi i nevojshëm të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Relacioni
Në relacionin e Ministrisë së Brendshme, dokument i cili shoqëron vendimin e Qeverisë, thuhet se “në datë 7 gusht 2009, në zbatim të detyrave të planit operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për vëzhgimin dhe kapjen e disa personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, punonjësit e Forcës së Posaçme vlerësuan situatën dhe shkuan me shpejtësi për zbatimin e këtij operacioni shumë të rëndësishëm. Për kryerjen e detyrave të planit operacional morën pjesë 16 punonjës policie të Forcës së Posaçme, që u angazhuan në zbatimin e detyrës së marrë. Sipas relacionit, operacioni paraqiste rrezikshmëri të lartë, pasi personat që do të ndaloheshin, ishin dënuar më parë për disa krime të rënda dhe prej disa vitesh figuronin në kërkim dhe me aktivitet të mprehtë kriminal. Ministria e Brendshme thekson në propozimin e saj dërguar Qeverisë, se gjatë veprimeve për kapjen e personave në kërkim, punonjësit e policisë: Drejtues Fatos Xhani, kryeinspektor Kastriot Feskaj, kryeinspektor Saimir Duçkollari dhe kryeinspektor Altin Dizdari u qëlluan në mënyrë të befasishme nga banda kriminale dhe për pasoje humbën jetën.           tr.so

Vata: Dajti sillet mirë me mjekët

TIRANE – Ylber Vata, kreu i Spitalit të Burgjeve pohoi dje se Dritan Dajti, autori masakrës ndaj policëve në plazhin e Durrësit mund të mbetet i paralizuar nga njëra këmbë, por tre plumbat e policëve që ka marrë në trup nuk mund t’i sjellin rrezik për jetën. Këtë deklaratë Vata e ka bërë dje për mediat duke iu referuar kartelës mjekësore të së burgosurit Dajti, i cili qëndron i shtruar në këtë spital që prej 7 gushit, ku kurohet për plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. “Gjendja e Dajtit është e mirë dhe sot i është parë plaga e mjekuar ditën e ngjarjes nga Spitali i Durrësit. Ai është jashtë rrezikut për jetën”, pohoi dje Vata, i cili edhe vetë është në profesion kirurg. Duke folur për sjelljen e Dajtit me stafin mjekësor dhe ushtarak të Spitalit të Burgjeve, drejtori Vatra, shpjegoi se 38 vjeçari i burgosur që qëlloi mbi katër policët nuk tregohet aq agresiv me stafin e mjekëve. Duke iu referuar kartelës mjekësore të së arrestuarit Vata shpjegoi se Dajti do të vuajë vetëm një pasojë shëndetësore nga plumbat e marrë. “Njëra këmbë, ajo e djathta konsiderohet si e paralizuar”, tha mjeku Vata, i cili kishte ndjekur në vazhdimësi ecurinë e shëndetit të së arrestuarit të masakrës së 7 gushtit. Por ndryshe nga kjo, familjarët e 38-vjeçarit Dritan Dajti akuzojnë mjekët e Spitalit të Burgjeve se po mbajnë në kushte çnjerëzore të burgosurin, duke aluduar se ai qëndron i lidhur pas shtratit me pranga gjatë gjithë kohës. Por kreu i spitalit, Ylber Vata, në lidhje me këtë deklaroi dje për mediat se Dajti trajtohet ndryshe nga të sëmurët e tjerë, duke i krijuar kondita shumë herë më të mira, sigurisht duke ruajtur dhe kushtet e sigurisë.    f.m.

Interpoli heq Dritan Dajtin nga lista e të shumëkërkuarve 
TIRANE – Zyra Qendrore e Interpolit në Lion të Francës, ka publikuar dje në faqen e saj zyrtare, listën e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në këtë listë mungonte dje emri i Dritan Dajtit, i cili prej gjashtë vitesh, ishte vendosur në zonën e kuqe të Interpolit, si njëri prej tetë shtetasve shqiptarë më të kërkuar. Pas arrestimit të 38-vjeçarit në Durrës ditën që ai vrau katër punonjës të policisë, Interpoli duket se ka rifreskuar të dhënat, duke hequr emrin dhe foton e Dritan Dajtit nga lista e personave të shumëkërkuar. Deri më 7 gusht 2009, vrasësi i katër policëve ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas arratisjes spektakolare nga Gjykata e Tiranës. Gjatë kësaj kohe Dajti u dënua në mungesë për akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa veç këtij dënimi, ndaj tij është hapur tashmë edhe procesi me akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara ndaj 4 punonjësve të policisë së shtetit si dhe “armëmbajtje pa leje”. Në listën e publikuar dje nga Zyra Qendrore e Interpolit në Francë, ndodheshin edhe personazhe të tjerë të krimit në Shqipëri, të cilët janë shpallur në kërkim pasi arrestimi i tyre nuk ka qenë i mundur për shkak të largimit jashtë vendit.

Bastiset shtëpia e gruas së Dajtit

Trazhgim Sokolaj

Dështon kontrolli i policisë në banesën e gruas së Dritan Dajtit. Forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë ushtruar kontroll ditët e fundit në banesën e Dorela Dajtit, gruas së personit të shumëkërkuar, që u arrestua vetëm pasi vrau katër oficerët që ishin vënë në ndjekje të tij. Kontrolli në banesë, mësohet se është zhvilluar disa ditë pas masakrës së ndodhur pranë pistës “Iliria” në Durrës, çka duket se i ka dhënë kohë personave përgjegjës, të zhdukin materialet e kërkuara nga policia gjatë verifikimit në banesë. Burime zyrtare nga hetimi i çështjes thanë se objekt i kontrollit të policisë, ka qenë shtëpia ku banon gruaja e të shumëkërkuarit, Dorela Dajti, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pak metra larg policisë së kryeqytetit. Efektiva të shumtë të policisë kanë ushtruar kontroll tek banesa në fjalë. Verifikimet kanë zgjatur më tepër se një orë ndërsa në përfundim kontrolli është mbyllur pa zbuluar asnjë provë që mund t’i shkojë në ndihmë hetimit të çështjes. Sipas zyrtarëve të policisë, në banesën e gruas së Dritan Dajtit nuk janë gjetur sende të paligjshme, prova apo dokumente komprometuese. Ndërkohë, ditët e fundit në kuadër të hetimeve kundër autorit të masakrës së Durrësit, janë ushtruar kontrolle edhe në disa banesa të tjera, që i përkasin personave të rrethit familjar apo të njohurve të Dritan Dajtit. Verifikime të tjera janë bërë edhe në banesën që i kërkuari kishte marrë me qira pranë pistës “Iliria” në qytetin e Durrësit.      
Kërkohen filmimet e aksionit
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë dje kërkesë zyrtare në adresë të një kanali televiziv me qëllim sekuestrimin e disa imazheve filmike, që përmbajnë sekuenca të përplasjes me armë mes Dritan Dajtit dhe oficerëve policisë. Burime zyrtare nga hetimi i çështjes thanë dje se pas publikimit të regjistrimeve që janë bërë nga një dëshmitar i ngjarjes, është vendosur sekuestrimi i kasetës me qëllim verifikimin e imazheve që përmban kaseta. “Administrimi i regjistrimeve në fjalë do të bëhet për nevoja të hetimit të çështjes me qëllim saktësimin e mekanizmit të ngjarjes dhe verifikimin e veprimeve të kryera prej punonjësve të policisë si dhe nga vetë i shumëkërkuari 38-vjeçar, që ekzekutoi me armë katër agjentët që ishin vënë në ndjekje të tij.
Ekspertiza e armëve
Grupi hetimor i masakrës së Durrësit është në pritje të ekspertizave nga Laboratori Shkencor i Policisë lidhur me armët dhe gëzhojat e administruara në vendin e vrasjes së katër punonjësve të policisë. Një verifikim i veçantë është kërkuar të bëhet për armën e përdorur nga Dritan Dajti, me qëllim konfirmimin nëse pistoleta është përdorur më parë në krime të tjera të ndodhura vitet e fundit. Ekspertim i veçantë po bëhet edhe për armët e punonjësve të policisë, si dhe gëzhojat e tyre me qëllim zbardhjen e mënyrës së tyre të veprimit, në përplasjen me armë përballë të shumëkërkuarit Dritan Dajti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›