Do t’i shfaq vlerat

Lorik Cana ndien keqardhje që mungoi në ndeshjen debutuese të Lazios këtë sezon, në San Siro ndaj Milanit, e cila përfundoi baras, 2:2. Mesfushori shqiptar mbeti jashtë skuadrës për shkak të një tërheqjeje muskulore në kofshë, që do ta detyrojë atë të qëndrojë jashtë fushës së blertë rreth 15 ditë.
Dëmtimi ka bërë që 28-vjeçari të mendojë për rikthim sa më të shpejtë, për t’u treguar të gjithëve se e meriton një vend në formacionin titullar të trajnerit Edy Reja. “Më erdhi keq që nuk luajta kundër Milanit, ishte një mundësi e mirë për të debutuar në kampionat në San Siro”, deklaroi Cana për mediat italiane.
Mesfushori kuqezi foli edhe për dëmtimin që pësoi në mesjavë dhe për punën që po e bën për t’u rikthyer dhe për t’i treguar vlerat e tij.
“Këmba u ënjt dhe pas konsultave, stafi mjekësor më këshilloi të qëndroja për ca kohë në pushim. Tani do ta nis fazën e rehabilitimit dhe shpresoj të kthehem shpejt. Jam i bindur se pasi ta kaloj dëmtimin, do të kem mjaft mundësi për të luajtur dhe për t’i treguar vlerat e mia”, përfundoi përfaqësuesi shqiptar.