Vetëm një barazim për Kosovën
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll, grupmosha U-16, e ka arritur vetëm një barazim, në konkurrencën e meshkujve, në Kampionatin ballkanik, i cili u mbajt për tri ditë rresht në Bullgari. Hendbollistët e rinj kosovarë barazuan të dielën ndaj Turqisë, kurse femrat humbën bindshëm nga turket.
Të shtunën, si meshkujt, ashtu edhe femrat i pësuan nga dy humbje. Kosova, në konkurrencën e meshkujve u mposht 23:10 nga Mali i Zi dhe 23:15 nga Maqedonia. Kurse, femrat humbën nga Maqedonia 18:8, ndërsa nga Mali i Zi, 24:13.
Të premten, në ditën e parë të këtij kompeticioni, meshkujt kanë humbur nga Bullgaria, 28:22, kurse femrat, po ashtu nga mikpritësi i këtij turneu, 23:15.
Kosovarët e rinj u treguan të pafuqishëm ndaj moshatarëve të tyre nga vendet e rajonit si Turqia, Maqedonia, Bullgaria e Mali i Zi, që ishin pjesëmarrës në Kampionatin ballkanik. Serbia dhe Greqia nuk pranuan të marrin pjesë, njëra për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, e tjetra për shkak të pjesëmarrjes së Maqedonisë.
Mali i Zi në konkurrencën e meshkujve dhe Maqedonia në atë të femrave, janë kampionë të rinj të Ballkanit. Kurse, lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Rron Ramadani, zuri vend në shtatëshen ideale të Kampionatit, në rolin e pivotmenit.