E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të bëjmë protesta-panel

LSI thotë se ndonëse do të vazhdojë të protestojë kundër Kodit, ajo do të sjellë disa kompani të huaja për të vëzhguar respektimin e këtij Kodi gjatë zgjedhjeve

Partia “Lëvizja Socialiste për Integrim” do të vijojë kundërshtitë e saj ndaj Kodit të ri Zgjedhor, të miratuar tashmë në Kuvend përmes protestave të cilat ajo shpreson t’i shndërrojë në panele me pjesëmarrjen e qytetarëve brenda, por edhe jashtë vendit. Megjithatë, kjo forcë politike, duket se është pajtuar disi me realitetin e ri kur thotë se do të sjellë në Shqipëri disa kompani të huaja të cilat do të vëzhgojnë zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen konform kodit të ri. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, në një intervistë për “Korrierin”, ndonëse nuk jep emrat e kompanive të huaja, me të cilat LSI-ja do të bashkëpunojë për të mbrojtur votën e lirë në zgjedhjet e 2009-ës, ai sqaron se këto kompani do të jenë të pranishme aktivisht në gjithë procesin zgjedhor.

Pas daljes nga greva e urisë ju paralajmëruat protesta. Bëhet fjalë për diçka konkrete?

“LSI-ja ka në proces një aksion politik, i cili nga përmasat, nga mesazhi dhe nga objektivi politik është absolutisht më i madhi. Mund të quhet kështu pa asnjë hezitim historik në pluralizmin politik shqiptar, sepse është i vetmi aksion politik i cili nuk ndërtohet mbi interesa të ngushta dhe specifike të një force politike, por i adresohet një problemi themelor të funksionimit të demokracisë në Shqipëri, i cili është institucioni i votës. Gjithë procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor, i miratimit të tij dhe gjithçka që ka rrjedhur prej këtij procesi ka qenë një degradim i thellë i tij, një monopolizim i pandodhur kurrë më parë, as në ditët kur në Shqipëri ishim duke dalë nga diktatura e Partisë së Punës dhe as në momentet e hartimit të kodit të megadushkut, i cili praktikisht ishte një nga rekordet më negative të zgjedhjeve në Shqipëri. Pra, tashmë kemi një Kod Zgjedhor, që shënon mjerisht një degradim të rëndë kontroversial në raport me tendencën e Shqipërisë për t’u hapur drejt botës dhe për t’u anëtarësuar në organizmat më të rëndësishme euroatlantike, duke rrënuar votën e lirë dhe transparencën e procesit të administrimit të saj”.

-Kur do të jetë protesta e radhës dhe ku do të vazhdojë më tej?

“Protesta në sheshin “Skënderbej” do të jetë ditën e enjte, në orën 16:00, dhe pastaj do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë, duke filluar që nga qytetet kryesore të vendit, por ajo nuk do të mungojë të zhvillohet edhe në nivel lokal akoma më të ulët, në të gjitha bashkitë dhe qytetet e nivelit të dytë, por edhe në të gjitha komunat e vendit dhe kudo ku qytetarët dhe strukturat politike në mbështetje të saj do ta promovojnë një gjë të tillë”.

-Cilat parti do të jenë krah jush në këtë aksion?

“Sigurisht që partitë përkrah nesh do të jenë në mënyrë të natyrshme ato parti që ishin pjesëtare të grevës së urisë, por edhe çdo force tjetër që reflekton në këtë drejtim. Protesta jonë është një panel i hapur për qytetarët, intelektualët dhe faktorët politikë të cilët kanë shqetësim madhor shenjtërinë e votës”.

-Çfarë keni parasysh kur thoni “forca politike që reflektojnë në këtë drejtim”?

“Të gjitha partitë dhe faktorë të tjerë politikë që kanë shqetësim kritik votën. Kjo do të thotë që, deputetë që ju i keni parë, që nuk kanë munguar të jenë prezentë në protestat tona, por edhe përfaqësues të partive politike. Ju patë një pjesëmarrje shumë aktive P.sh.: të zotit Shehi, z. Ngjela, z. Bakalli etj., dhe të tjerë faktorë politikë. Kompromentimi i zgjedhjeve dhe i standardeve të tyre është një shqetësim që përjetohet shumë edhe brenda deputetëve apo aktorëve të rëndësishëm, edhe brenda PD-së e PS-së, të cilët sigurisht nuk duan që ky standard të kompromentohet, sepse kompromentohet fati evropian i Shqipërisë, por edhe i tyri personal”.

-Ju thatë se do të ndërmerrnit edhe protesta ndërkombëtare...

“Janë organizuar deri tani përpara OSBE-së në Vjenë dhe në Romë, dhe do të vijojnë edhe në Bruksel, SHBA e gjetkë. Ato do të vazhdojnë pas mitingut të së enjtes në sheshin “Skënderbej”. Mesazhi do të jetë gjithmonë vetëm një: “Vota është e shenjtë” dhe të mbrohen standardet evropiane të zgjedhjeve në Shqipëri”.

-Si do të funksionojë mbrojta e votës falë kompanive me të cilat ju keni filluar negociatat?

“Asistimi i këtyre kompanive fillon pas pak javësh. Do të jetë një shtrirje gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, gjatë zgjedhjeve dhe periudhën paszgjedhore. Asistimi do të jetë qoftë teknik, por edhe me masa konkrete teknike që do të përgatiten kohë më parë dhe do të udhëhiqen prej tyre e gjithë struktura organizative, e cila do të veprojë në terren në mënyrë konkrete, por njëkohësisht ai do të jetë i mbështetur gjerësish edhe nga një grup i madh vëzhguesish evropianë me përbërje politike dhe teknike, duke filluar që nga njerëz të rëndësishëm në politikë, si eurodeputetë, kongresmenë, njerëz të njohur të medias botërore, të cilët do të jenë pjesë e ekipeve tona të vëzhgimit në terren. Ata do të evidentojnë në kohë reale çdo lloj tendence, qoftë edhe për të prekur një votë, jo vetëm të LSI-së, por edhe të ndonjë partie tjetër, kudo ku procesi i votimit do të tentojë të kompromentohet”.

-Do të jenë të pranishëm në procesin e votimit?

“Ju po pyesni për detajet. Detajet do të sqarohen ditët që vijnë, por prezenca e tyre fizike, teknike dhe politike do të jetë në të gjitha etapat, të gjithë proceset, në të gjithë momentet para, gjatë dhe pas procesit të votimit. Praktikisht do të jetë një prezencë dhe asistencë shume aktive dhe intensive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›