E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja me paketë antikrizë

Valentina Leskaj tha se buxheti ka probleme të mëdha dhe varfëron Shqipërinë

Partia Socialiste do të paraqesë sot një paketë antikrizë për buxhetin e vitit 2009. Liderja e socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj, tha dje pas mbledhjes së grupit, se socialistët nuk do të mbështesin buxhetin e qeverisë, ndaj do të ofrojnë alternativën e tyre. “Ne si grup parlamentar socialist kemi përgatitur një paketë propozimesh, të cilën do ta paraqesim nesër në formën e një buxheti alternativ. Shpresoj që qeveria të reflektojë, edhe pse ne e bëmë këtë vitin e kaluar, por nuk u mor në konsideratë. Le të shpresojmë që qeveria t’i thërrasë arsyes, pasi Shqipëria ka krizën në prag, dhe të ulet të shqyrtojë paketën e propozimeve që ne do të bëjmë si Parti Socialiste”, - u shpreh Leskaj. Numri një i grupit parlamentar socialist tha se vota e deputetëve të PS-së do të jetë kundër një buxheti që varfëron shqiptarët. Sipas saj, buxheti i paraqitur nga ekzekutivi shqiptar ka probleme të mëdha dhe ndikon në uljen e nivelit ekonomik në vend. “Është një buxhet që ka probleme të mëdha lidhur me mungesën e një pakete antikrizë, ndërkohë që të gjithë vendet evropiane dhe përtej tyre kanë paraqitur paketa antikrizë, për të përballuar krizën që është në derë edhe për Shqipërinë. Në buxhet nuk kemi një paketë serioze antikrizë, dhe kjo gjë është një tjetër element garancie, që varfëria do të thellohet”, - deklaroi Valentina Leskaj. Sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së, probleme të mëdha ka me institucionet e pavarura. Leskaj tha se lufta ndaj korrupsionit, të cilin kërkon ta luftojë ekzekutivit aktual, nuk mund të jetë efektive për sa kohë institucionet e pavarura kushtëzohen me buxhet. Një tjetër pikë negative e buxhetit, sipas socialistëve, është çështja e kompensimit të ish-pronarëve dhe shpërblimet për ish-të përndjekurit politikë. Valentina Leskaj shtoi se probleme në buxhetin e qeverisë ka edhe lidhur me investimet. Ajo sqaroi se shqetësuese është sidomos çështja që ka të bëjë me fillimin e investimeve, duke alokuar 5 -10 për qind të fondeve. Kjo sipas saj është e palejueshme, pasi do të thotë që buxheti të kthehet në një piramidë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›