Rrjet i gjerë

Më shumë se 10 zyrtarë shtetërorë janë vënë nën hetim për lidhjet me dy grupet e të arrestuarve për falsifikimin e pensioneve
TIRANË - Skandali i pensioneve falsë dyshohet të ketë përfshirë dhjetëra zyrtarë të tjerë, tashmë nën hetim. Burime të sigurta të policisë së Tiranës bënë të ditur për gazetën, se 16 të arrestuarit e deritanishëm janë vetëm një pjesë e një rrjeti që dyshohet të jetë i shtrirë në të gjithë administratën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në të gjithë vendin. “Mbi dhjetë persona të tjerë, kryesisht zyrtarë, por edhe sekserë janë nën hetim”, - tha një burim pranë grupit hetimor. Ndërkohë, nuk mund të përcaktohet një shifër e saktë e dëmeve që i kanë shkaktuar shtetit këta persona, për shkak se të dyshuarit si të implikuar në këtë rrjet janë të shumtë dhe se verifikimi i dosjeve false vazhdon dhe ka punë të madhe ende për t’u bërë. Gjithashtu, të arrestuarit në kuadër të këtyre shkeljeve janë të gjithë pjesë e abuzimeve që vazhdon nga viti 2000 e deri tani.
Nën hetim
Të njëjtët burime saktësuan se katër arrestimet e fundit të zyrtarëve, të cilët u vunë nën pranga për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh, në bashkëpunim, më shumë se një herë”, nuk i japin fund ciklit të arrestimeve për pensionet falsë. Madje, burimet thanë se me dhjetëra zyrtarë dhe sekserë po hetohen nga Antikrimi Ekonomiko-Financiar. Të gjitha dosjet e lëshuara prej tyre po verifikohen një më një në lidhje me rregullsinë e dokumentacioneve dhe moshës së personave që kanë përftuar statusin e pensionistit dhe punës së bërë prej tyre në të shkuarën. Të ndihmuar edhe nga specialistë të kësaj fushe, të gjitha dosjet e po kontrollohen, ku pjesa më e mirë e së cilave rezulton me shkelje të theksuara në dhënien e pensioneve. Pjesë e personave të vënë tashmë nën hetim rezulton të jenë punonjës ose ish-punonjës në ISSH-të e rretheve të ndryshme, zyrtarë ministrish me sekserë që bënin lidhje mes personave të interesuar dhe atyre “që u mbaronin punë” kundrejt shumave të konsiderueshme të parave që i kishin përcaktuar mes njëri-tjetrit në zinxhirin e gjatë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Arrestimet e fundit
Tri ditë më parë, policia e kryeqytetit njoftoi përmes një deklarate zyrtare prangosjen e katër punonjësve, të cilit kishin abuzuar me 200 dosje pensionesh. Operacioni i koduar “Dosja e hapur” vuri në pranga Fatbardha Selën, 57 vjeçe, ish-përgjegjëse e Zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht me detyrë specialiste pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë; 41-vjeçaren Flora Ceka, ish-inspektore e Verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë ekonomiste pranë një firme private; 70-vjeçarin Zija Mema, ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe Agim Memën, 57 vjeç, ish-kryetari i Degës së Kuadrit në Minierën e Mushqetasë, aktualisht me detyrë punonjës i “Albminierës” pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe funksionar pranë Sindikatës së Minatorëve. Nga hetimet paraprake rezultoi se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër të arrestuarit kryenin veprime të paligjshme, duke prodhuar skema të nxjerrjes në pension të parakohshëm të personave të ndryshëm, me dokumente të falsifikuar. Po nga hetimet rezultoi se pas plotësimit të dokumentacionit të falsifikuar për pension, të dyshuarit u lidhnin pension sikur ishin të punësuar pranë minierës së Mushqetasë, ku këtë aktivitet e kryenin kundrejt shumave të parave prej 150 mijë lekësh të reja për çdo pension fiktiv.
Arrestimet e para
Më 4 prill të këtij viti u realizuan edhe 11 arrestimet e para të personave që përftonin pension të parakohshëm kundrejt 500 mijë lekëve të reja. “Mashtrimi nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve” dhe “vënia në përdorim e dokumenteve të falsifikuara” arrestuan Petrit Stafën, 51vjeç, banues në Kërrabë, Xhavit Bekteshin, 58 vjeç, banues në Ibë të Bërzhitës, Bilal Qokun, 45 vjeç, banues në Kërrabë, Lutfi Banajn, 47 vjeç, banues në Ibë, Ylli Likën, 42 vjeç, banues në Ibë, Shefki Shkozën, 45 vjeç, banues në Surrelë, Bajram Alimadhin, 45 vjeç, banues në fshatin Mjull të Bathores, Sauk, Maliq Lulin, 50 vjeç, Shefki Troskin, 58 vjeç, Skënder Varrotin, 47 vjeç, Skënder Cicollarin, 53 vjeç, që të pestë me banim në Tiranë. 11 personat përftonin pension në mënyrë të padrejtë që nga viti 2000. Vetëm tre muaj më pas, në 2 korrik të këtij viti, u vu në pranga Qemal Caka, i cili u akuzua për abuzim me 10 dosje pensionesh.