E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titulli i shumëpritur

Borussia Dortmund, me ekip të ri e të paprovuar para këtij sezoni, fitoi Bundesligën të shtunën duke mposhtur Nurembergun 2-0, ndërsa rivali Bayer Leverkusen pësoi humbje në Koln. Ekipi i trajnerit Juergen Klopp siguroi titullin e parë nga viti 2002, ndërsa të shtatin në histori të klubit. Nga Express më 02 maj 2011 në ora 09:37

Borussia Dortmund triumfoi në Bundesligë, të shtunën, duke siguruar titullin e saj të shtatë duke mposhtur Burembergun 2-0, derisa përcjellësi i tyre i parë, Bayer Leverkusen pësoi humbje 2-0 në Koln.

Golat në pjesën e parë të ndeshjes nga Lucas Barrios dhe Robert Lewandowski e dërguan Dortmundin në tetë pikë epërsi ndaj Leverkusenit, dy xhiro para fundit.

“Jam shumë i lumtur”, tha trajneri i Dortmundit Juergen Klopp, pas ndeshjes së tij të 100-të jubilare në drejtim të ekipit. “Kam menduar se do të jem euforik, por ndoshta kjo do të vijë më vonë. Është e pamundur të përshkruhet me fjalë ajo që kanë arritur djelmoshat e mi”, u shpreh ai.

Dortmund – që filloi sezonin me humbje në shtëpi nga Leverkuseni – për herë të fundit fitoi titullin më 2002. Kësaj radhe, ata triumfuan me një ekip të ri dhe të paprovuar para këtij sezoni.

“Kemi pritur gjatë, shumë gjatë. Ishte një periudhë e zbrazët”, tha drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc. Kolegu i tij nga Leverkusen, Rudi Voeller i ofroi urimet. “Ne do të kishim dashur të zgjasim më tepër garën për titull”, tha ai.

Milivoje Novakovic shënoi kundër rrjedhës së lojës për Kolnin, në minutën e 67-të, e më pas në të 82-ën për t’i siguruar ekipit të tij fitoren e parë ndaj Leverkusenit, pas 14 viteve.

Në takimin tjetër, Thomas Mueller realizoi dy herë dhe përgatiti dy të tjerë për Bayern Munichun në fitoren 4-1 në shtëpi ndaj Schalkes. Bayern kaloi i treti pasi Hannover pësoi humbje 1-0 në shtëpi nga Borussia Moenchengladbach.

Por, në Dortmund festa filloi. “Nuk mund ta përshkruaj, kemi kaluar një sezon të jashtëzakonshëm”, tha mesfushori i Dortmundit, Kevin Grosskreutz.

Nuremberg e filloi ndeshjen me intensitet, duke ndalur Dortmundin nga krijimi i lojës me pasime të shpejta, ndërsa Andreas Wolf dy herë ishte afër nga goditjet e lira në 20 minutat e para.

Por, skuadra e Kloppit kaloi ne epërsi, kur Barrios shënoi në minutën e 32-të, ndërsa Lewandowski realizoi për 2-0 në minutën e 43-të. Barrios humbi një rast për 3-0 në minutën e 79-të, por tifozëve, të cilët përcillnin edhe ngjarjet në Koln, nuk iu bë e madhe.

“Kjo është dita më e bukur në jetën time si futbollist”, tha Barrios. Ndërsa trajneri i Leverkusenit, Jupp Heynckess, i cili nga sezoni i ardhshëm do të udhëheqë Bayern Munichun, tha: “Dortmund luajti futbollin më të mirë në Bundesligë për periudha të gjata. Mendoj se është arritje e madhe për ta, kanë qenë të shkëlqyeshëm”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›