E Diel, 1 Nëntor 2026

Do të mbroj lirinë në të gjithë vendet

21/01/2005  Xhorxh Bush ka marrë zyrtarisht, dje, mandatin e dytë të drejtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka premtuar se dhe në të ardhmen qëllimi i Amerikës do të jetë çlirimi i të gjithë vendeve që vuajnë diktaturën. Madje, ai tha se mbijetesa e lirisë në Amerikë varet shumë dhe nga suksesi i lirisë në vendet e tjera. Gjatë betimit, Bush është shprehur se Amerika do të jetë me të gjithë ato shtete që do të kërkojnë lirinë dhe demokracinë. "Unë, Xhorxh Bush, do të ushtroj me besnikëri detyrën e Presidentit, do të ruaj dhe mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më ndihmo, o Zot!", me këto fjalë, në praninë e 500 mijë vetëve, Presidenti i 43-të i SHBA-së është betuar duke rikonfirmuar drejtimin e shtetit të tij dhe për një mandat tjetër 4-vjeçar. Ceremonia është zhvilluar në kryeqytetin e Amerikës, Uashington, në selinë e Kongresit amerikan. Në mesazhin e tij, Bush ka theksuar se "kemi kaluar kohë të vështira në kohë paqeje dhe lufte. Qëllimi ynë ka qenë të arrijmë lirinë njerëzore". Sipas Presidentit Bush, "SHBA-ja kërkon që të lirojë vendet në çdo cep të botës, të respektojë dinjitetin dhe vlerën e çdo njeriu, sepse askush nuk duhet të jetë skllav dhe i nënshtruar në këtë botë. Mbijetesa e lirisë në Amerikë në masë të madhe varet prej suksesit të lirisë në vendet e tjera të botës", tha Bush. Zanafilla si trashëgimtar i një dinastie të fuqishme me një baba President dhe një gjysh senator, Bush është 58 vjeç. Ai ka drejtuar biznese me interesa në sektorin energjetik. Karriera e tij politike ka filluar në vitin 1994, kur u zgjodh Guvernator i Teksasit për të rifituar mandatin e dytë si trampolinë për në Shtëpinë e Bardhë. Në planin e politikës së jashtme, parashikohet që Bush të potenciojë çështjen e stabilizimit të situatës në Irak, atë të paqes në Lindjen e Mesme dhe ndalimin e zhvillimit të programeve atomike në Iran dhe Korenë Veriore. Ceremonia e betimit është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Për organizimin e kësaj ceremonie u ngrit një komitet i posaçëm i përbërë nga 500 vetë, ndërkohë që shpenzimet llogaritet të kenë arritur në mbi 40 milionë dollarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›