E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano fton Presidentin Shirak në Tiranë

21/01/2005  Kryeministri Fatos Nano ka ftuar dje për një vizitë në Shqipëri Presidentin e Francës, Zhak Shirak. Me këtë rast, Nano është shprehur se Shirak duhet të thyejë, faktin që asnjë President i Francës nuk ka qenë në Shqipëri. Takimi i kreut të shtetit francez Shirak dhe Kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, ka vendosur kështu një urë bashkëpunimi mes dy vendeve. Presidenti Shirak, gjatë takimit të zhvilluar dje, ka garantuar mbështetjen e vendit të tij për proceset integruese në bashkësinë evropiane. Sipas Shirak, "është koha të shohim me përparësi marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, ku Franca është e interesuar të jetë më e pranishme, të shoqërojë dhe kontribuojë në zhvillimin e Shqipërisë dhe rajonit, pasi perspektiva juaj evropiane është tashmë e konfirmuar". Të dy personalitetet kanë diskutuar për nxitjen e kompanive franceze për të marrë pjesë në privatizimin e sektorëve strategjik të ekonomisë në Shqipëri, si energjinë, telekomunikacioni, turizmi etj. Në këtë kuadër, Nano tha se, "në aksionet e globalizimit të ekonomisë shqiptare, duhet të ketë gjithashtu edhe pjesëmarrje e pronësi franceze, në masë të ekuilibruar me aktorët e tjerë të rëndësishëm që po na shoqërojnë". Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe është mbështetur nga të dy personalitetet. Sipas Kryeministrit Nano, "kjo marrëdhënie shoqëron procesin e hapjes dhe të integrimit të rajonit të Ballkanit, ku Shqipëria luan një rol të pazëvendësueshem". Situata në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht Kosova kanë qenë pjesë e bisedimeve mes dy personaliteteve. Rajoni nuk mund të krahasohet me të kaluarën, pasi midis vendeve të Ballkanit ekziston një mentalitet i ri dhe vullnet i përbashkët për të bashkëpunuar dhe bashkëvepruar, si dhe është vendosur një dialog politik intensiv i nivelit të lartë, kanë theksuar bashkëbiseduesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›