"Do të mbyllim procesin e certifikimit të pronësisë"
Kryetari i Partisë Socialiste, gjatë takimit me të rinjtë e qytetit të Burrelit, ka ripërsëritur premtimin për dhënien e certifikatës së pronësisë të gjithë bujqve e fermerëve, të cilët ende janë bujkrobër në tokat e tyre. Këtë situatë paradoksale në bujqësi, e cila frenon rritjen e zhvillimin e këtij sektori, ne do ta zhbëjmë theksoi Rama, duke u dhënë të gjithëve certifikatat e pronësisë në bazë të Ligjit 7501. Pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Bujqësisë, tha Rama, bujqit e fermerët sot ende nuk kanë në duar certifikatat e tokës së tyre. "Ne do ta hapim epokën e re në fshat, më 28 qershor, duke mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë mbi tokën bujqësore, mbi bazën e Ligjit 7501, duke i kthyer bujqit e fermerët shqiptarë nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë e mbështetje nga shteti në zotër të tokës së tyre", nënvizoi lideri i opozitës. Ata të Ministrisë së Bujqësisë, vijoi ai, thonë që e kanë mbyllur në 2008 procesin, por sot realiteti është krejt tjetër, bujqit e fermerët ende nuk kanë në duar një copë letër që të tregojë se janë zotër në tokën e tyre. Duke vënë theksin në domosdoshmërinë e bashkimit të ri përtej ngjyrave partiake, Rama shprehu bindjen e tij se në 18 vjet, të gjithë njerëzit e thjeshtë kanë mbetur të zhgënjyer nga vota që kanë dhënë, pasi nuk u janë zgjidhur hallet e problemet e së përditshmes. Lideri opozitar u ndal në faktin se në 18 vite, partitë i kanë ngjyrosur njerëzit e thjeshtë, në tifozë në kuq e blu, duke luajtur kështu me fatin e tyre. "Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura përtej dasive partiake që politika e vjetër ushqen prej 18 vitesh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, ku ka futur grindjen e nxitur, tifozllikun e verbër partiak, sepse është e paaftë të zgjidhë problemet", theksoi Rama. Duke përçarë e sunduar, shtoi ai, në emër të së shkuarës, politika e vjetër ka marrë peng të ardhmen tonë të përbashkët dhe ka minuar vijimësisht themelet e shtetit të të gjithëve. "Përça e sundo, shko fshat më fshat, shaj sa të mundesh tjetrin që do të vijë pas teje për të kërkuar votat, bëj sa të mundesh për të nxitur armiqësinë mes atij që t‘i jep votat dhe atij që nuk t‘i jep votat", konstatoi Rama.