E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", opozita organizon marshim më 15 mars

Dy partitë kryesore të opozitës iniciojnë në mënyrë të pavarur një protestë me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Zëdhënësja e kryesisë së socialistëve, Mimi Kodheli, deklaroi aksionin për organizimin e një manifestimi qytetar në Gërdec dhe Tiranë më 15 mars në moton: "Mos harro!". "Përvjetori i parë i masakrës shtetërore të Gërdecit do të jetë dita e kujtesës dhe e protestës qytetare kundër korrupsionit. Kjo nismë e koalicionit tonë është e hapur për çdo qytetar përtej së majtës dhe së djathtës dhe nuk do të ketë ngjyrat e partive, por ato të flamurit kombëtar e të flamurit evropian", vlerësoi Kodheli. Sipas saj, kjo është një thirrje që i drejtohet të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët më 15 mars duhet të bashkohen, për të treguar se qytetarët nuk harrojnë. "Nuk kemi pse e ftojmë LSI, pasi nuk është pjesë e opozitës ndaj Berishës, po paterica e tij", u shpreh Kodheli. Sakaq, LSI dënoi publikisht deklaratat e bëra nga PS dhe i konsideroi ato një provokim të ulët të Edi Ramës. "LSI që përfaqëson opozitën e vërtetë të drejtuar nga Ilir Meta nuk ia cakton dot vendin, koalicioni i korruptuar i bashkisë dhe lejeve të ndërtimit, që drejton Edi Rama", tha dje Erisa Xhixho e LSI-së. Koalicioni i bashkisë dhe lejeve të ndërtimit kërkon të përjashtojë LSI, vijoi ajo, por të gjithë e kanë të ngulitur në kujtesën e tyre se ishte Edi Rama ai që i rrahu shpatullat Sali Berishës, ditën e tragjedisë së Gërdecit. LSI deklaron se së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar, si përfaqësuesit e vetëm e të vërtetë të së majtës shqiptare të drejtuar nga Ilir Meta, do të organizojnë më datën 15 mars në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë protesta masive kundër qeverisë "Berisha". Këto protesta që pritet të organizohen janë në kuadrin e njëvjetorit të shpërthimit që ndodhi në Gërdec, në afërsi të Tiranës. Kjo ngjarje shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›