E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Iniciativa lehtësuese fiskale për bizneset

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një tur takimesh në qytetin e Korçës dhe në Komunën e Buçimasit në Pogradec. Ai u ndal kryesisht në programin që do të ketë LSI për luftën ndaj varfërisë dhe rritjen e mirëqenies. Meta u shpreh se punësimi jetik do të jetë një ndër prioritetet kryesore të programit qeverisës të LSI, në mënyrë që çdo familje të ketë një të punësuar. Kjo, sipas tij, do të realizohet përmes rritjes së investimeve publike dhe disa iniciativave konkrete fiskale, lehtësuese për bizneset, në mënyrë që ata të nxiten të punësojnë sa më shumë njerëz. Ndërsa në Komunën e Buçimasit, Meta duke bashkëbiseduar me banorët e këtij komuniteti, shprehu garancinë në emër të forcës që ai drejton se Komuna e Buçimasit do të bëhet shembulli më i mirë për modelin se si ne do të qeverisim Shqipërinë pas 28 qershorit. Më pas Meta, duke zbardhur disa nga pikat e programit për bujqësinë, u shpreh se "pas fitores sonë më 28 qershor, ne do të krijojmë lehtësira fiskale për bizneset e reja prodhuese, të cilat duhet të krijohen dhe të stimulohen". Sipas tij, kjo do të thotë që LSI-ja, nesër në qeverisje, do të ndërmarrë politika reale dhe jo fiktive të formimit profesional. "Kjo do të thotë që ne do të subvencionojmë prodhimin bujqësor, jo në mënyrë demagogjike dhe korruptive, siç ndodh sot, në mënyrë krejtësisht klienteliste dhe partiake, por në mënyrë konkrete dhe efikase", sqaroi ai. Gjithashtu, tha Meta, ne do të subvencionojmë për çdo litër qumësht që do të prodhohet, për çdo kilogram grurë që do të prodhohet, për çdo kilogram fruta që do të prodhohet, në mënyrë që shqiptarët t‘i kthehen punës në bujqësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›