E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT-ja: "Top Channel", televizioni më i balancuar

Komisioni i Medias ka zhvilluar dje një seancë pyetje-përgjigje me kryetaren e KKRT-së, Mesila Doda. Pjesa më e madhe e pyetjeve drejtuar Dodës kanë qenë rreth mënyrës së funksionimit të TVSH-së. Deputetët kanë pyetur edhe rreth respektimit të etikës në media rreth transmetimeve të firmave me dhunë apo që nuk përmbajnë etikën morale të shoqërisë. Në raportin e KKRT-së, depozituar në Komisionin e Medias, është vlerësuar pozitivisht "Top Channel", i cili ka pasqyruar në mënyrë reale dhe të paanshme për sa i përket minutazhit aktivitetet politike në vend. Sipas raportit të KKRT-së, "Top Channel" ka pasqyruar Kryeministrin Berisha, qeverinë dhe PD-në në masën 33.9%, ndërsa PS-së 30.1%, LSI 9.5%, PR 2% dhe PSD 1.4%. Ndërkohë që televizionet e tjera kombëtare dhe ai publik, sipas shifrave të KKRT-së, kanë një diferencë mes qeverisë dhe opozitës jo më të vogël se 25%. Për sa i përket politikanëve, "Top Channel" ka pasqyruar Kryeministrin Sali Berisha 15.03%, kryetarin e PS-së dhe kreun e bashkisë, Edi Rama 18.5%, Presidentin Bamir Topi 6.5%, dhe Kryetaren e Kuvendit 2%. Kryetarja Mesila Doda ka theksuar se problem për KKRT mbeten televizionet kabllore, të cilat në mënyrë të vazhdueshme shkelin të drejtat e autorit. Sipas saj, pavarësisht masave të marra nga institucioni që ajo drejton, gjykata, në të shumtën e rasteve, ka hedhur poshtë ankimimin e KKRT-së. Doda ka rreshtuar edhe një sërë projektesh të cilat do të realizohen nga KKRT-ja për të cilat ka marrë edhe asistencën e institucioneve ndërkombëtare si OSBE-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›