Zgjedhjet, vëzhguesit e parë të ODIHR zbarkojnë më 15 mars
Vëzhguesit e parë të ODIHR-it zbarkojnë në Shqipëri më datën 15 mars, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Këtë fakt e bëri të ditur dje ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në prononcimin e tij për mediat, ai nënvizoi faktin se qeveria shqiptare është gati për zgjedhjet dhe ka kërkuar që të ketë sa më shumë vëzhgues. "Qeveria është gati për zgjedhje dhe ka përsëritur shumë herë se do të ketë sa më shumë vëzhgues", u shpreh ambasadori. Ai shtoi se ODIHR-i merret me monitorimin e zgjedhjeve dhe do të fillojë me një vlerësim të nevojave, ndërsa vëzhguesit e parë vijnë më 15-16 mars. Mësohet se ky grup vëzhguesish do të kenë të bëjnë kryesisht me situatën paraelektorale. Procesi i vëzhgimit do të përqendrohet tek infrastruktura zgjedhore dhe hapat që po ndërmerren në këtë drejtim. Partia më e madhe e opozitës, deri më tani, ka shfaqur shumë kontestime për sa i takon procesit dhe kjo duket se ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Dje, gjatë takimit me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se zgjedhjet e ardhshme janë një kusht për rrugën drejt integrimit. Ai porositi qeverinë të kujdeset për organizimin sa më të mirë të kësaj sfide elektorale. Rëndësia e 28 qershorit u nënvizua edhe gjatë vizitës së fundit të ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, në Tiranë. Deklaratat e saj ishin në rolin e kryediplomates së vendit që ka drejtimin e radhës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pak ditë më parë, sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, mori garanci për monitorimin e zgjedhjeve, në sesionin e tetë të Asamblesë Parlamentare të këtij organizmi. Gjatë punimeve të Komisionit të Përgjithshëm për Demokraci, Të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare, Dade, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të Partisë Socialiste, si forca kryesore e opozitës në reformën zgjedhore, ngriti shqetësimin për vonesat e përgatitjeve të procesit zgjedhor, duke e konsideruar këtë proces, si shumë të rëndësishme për fatin e së ardhmes evropiane të vendit tonë. Gjatë takimeve me përfaqësues të lartë të AP-së së OSBE-së në Vjenë, Dade kërkoi prezencën e një misioni vëzhgues me anëtarë të kësaj Asambleje, për të ndjekur nga afër ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, si dhe të monitorimit të procesit zgjedhor. Gjatë vizitës së saj, Dade ka takuar presidentin e AP-së së OSBE-së, Joao Soares, por edhe përfaqësues të Presidencës greke të OSBE-së, drejtorin e ODIHR, Janez Lernacic, si dhe delegacionet suedeze dhe daneze. Ajo mori garanci se shumë shpejt në Shqipëri do të vijë një mision vëzhgues nga OSBE-ja dhe ekspertë të ODIHR-it, për të ndjekur vetë nga afër përgatitjet për zgjedhjet.