E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Do të ndërtojnë ata që janë pronarë"

05/02/2005  Rama sqaron se kush ka të drejtën e pronësisë do të zgjedhë dhe ndërtuesit

"Bashkia e Tiranës nuk përcakton se kush ndërton, Bashkia e Tiranës përcakton se si ndërtohet. Dhe jo vetëm Bashkia e Tiranës, por çdo bashki në planet, në vendet demokratike, sepse në vendet komuniste apo në vendet me regjime diktatoriale mund të përcaktojë vetë shteti dhe mund të ndërtojë vetë shteti, por në një vend demokratik, përcaktimin se kush ndërton e bën e drejta mbi pronën. Bazuar në të drejtën mbi pronën dhe në kontratat me pronarët, bëhen aplikimet për leje ndërtimi në qytetin e Tiranës, në qytetet e Shqipërisë dhe në të gjitha qytetet demokratike", tha kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, bashkia shqyrton dokumentacionin tekniko-ligjor dhe jep ose jo lejet. Por nuk përcakton, se kush do të ndërtojë. "Personat që ndërtojnë janë ata të cilët disponojnë të drejtën mbi pronën, pronarë apo investitorë të lidhur me pronarët, në bazë kontratash të qarta, të noterizuara dhe të depozituara. Bazuar në këtë parim Bashkia e qytetit thërret konkursin, me mbështetjen financiare të investitorëve, të cilët kanë vetëm votën e tyre", tha Rama. Kërkesa për disa variante është një kërkesë, që ka të bëjë me nevojën dhe dëshirën për të pasur projekt-ide dhe projektin më të mirë të mundshëm dhe ne jemi këtu për të garantuar standarde të një kryeqyteti europian dhe këto standarde garantohen mbi bazën e një plani, të një rregulloreje që shoqëron planin. "Kjo duhet të bëhet shumë e qartë, pasi kam dëgjuar gjithfarë broçkullash lidhur me gjoja mbylljen nga ana e Bashkisë së hapësirës për garë. Nuk ka garë se kush do të ndërtojë mbi pronën private. Këtë e përcakton vetë prona, vetë pronarët, nuk e përcakton Bashkia dhe nuk e përcakton shteti.", tha Rama. Përzgjedhja në konkurs është bërë mes 101 studiosh dhe pasi kanë bërë realizuar kontaktet investitorët kanë zgjedhur tre. Këto të treja, sëbashku me një studio shqiptare, përsëri e zgjedhur nga investitorët, do të paraqiten në konkursin e nesërm, ashtu si ndodhi në konkursin e shkuar. "Ky është një parim i garës me short-list, që është një mënyrë garë, e cila zhvillohet edhe nga institucione prestigjioze si psh., Banka Botërore", tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›