E Hënë, 2 Nëntor 2026

Klima politike në Shqipëri rrezikon zgjedhjet parlamentare

05/02/2005  Bashkimi Evropian miraton rezolutën për situatën në Ballkan

Projektrezoluta e Parlamentit Evropian e ka paraqitur situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor si shqetësuese. Kjo rezolutë është diskutuar nga eurodeputetët dhe pritet të miratohet javën e ardhshme. Në këtë rezolutë, thuhet se situata në Shqipëri dhe "klima politike lë shumë për të dëshiruar, duke krijuar një situatë dëshpëruese për këtë vend. Lë për të dëshiruar dhe gjendja në vetë Partinë Socialiste, e cila u nda më dysh". Amendamentet kërkojnë gjithashtu që zgjidhja e statusit të Kosovës të fillojë sa më shpejt dhe bisedimet rreth tij të përfundojnë në një datë të përcaktuar paraprakisht. Lidhur me njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, disa eurodeputetë i kanë bërë thirrje BE-së që të ndiqet shembulli i SHBA dhe ta njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Eurodeputeti grek, Beglitis, kërkoi që në pjesën e rezolutës për Shqipërinë të futej edhe paragrafi për mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri.

Kosova

Në projektrezolutën fillestare, ndër të tjera, pohohej se zgjatja e statu-kuosë në Kosovë mund të forconte prirjet nacionaliste në çdo kamp. Eurodeputeti danez, Samuelsen, ka kërkuar rifillimin sa më shpejt të dialogut Prishtinë–Beograd, i cili do të lehtësonte dhe gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare të statusit të Kosovës. Në këtë projektrezolutë shprehet bindja se "federata serbo-malazeze, e ngritur dhe e mbajtur në këmbë edhe me përpjekjet e BE-së, nuk po funksionon siç ishte parashikuar". Eurodeputeti danez parashikon zgjedhje të parakohshme në Serbi, ku edhe atje gjendja politike shihet si e paqëndrueshme. Edhe eurodeputetja gjermane, Doris Pack, ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të dialogut për zgjidhjen e statusit të Kosovës që të caktohet një afat i zgjidhjes së këtij statusi. Kjo në mënyrë që bisedimet të mos zgjaten deri në kalendat greke. Ndërkohë, disa eurodeputetë kanë nënvizuar se zgjidhja e statusit të Kosovës gjendet brenda Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që njeh sovranitetin e federatës serbo–malazeze mbi Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›