Çmimi i kompensimit njësoj dhe për legalizimin
05/02/2005 Vlerat e përcaktuara nga Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave do të vihen në shërbim dhe të procesit të legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Sipas ligjit për zonat informale, çmimi i tokës që duhet të paguajnë ndërtuesit e paligjshëm do të jetë ai i vlerës që do të përcaktojë komiteti i pronave për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave. Në këtë mënyrë votimi që do të bëhet në Kuvend gjatë muajit shkurt do t’i japë zgjidhjes dhe çështjes, sa duhet të paguajnë ndërtuesit e paligjshëm për tokën që ata kanë zënë. Ndërsa vlera që ata do të paguajnë do të shkojë në fondin e llogaritur për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Ndonëse kjo bie në kundërshtim me interesat e banorëve të paligjshëm, çmimi i tokës do të paguhet, për vetë faktin se dhe ndërtuesit kanë shkelur ligjin duke bërë ndërtimet, pa marrë lejen e autoritetit përkatës. Gjithsesi, çmimi i tokës, që ata do të paguajnë, do të jetë më i lirë se toka në qendër të qytetit, pasi ndërtimet e paligjshme janë kryesisht në periferitë e qyteteve. Megjithatë për këtë pikë pritet të ketë ndryshime në votimin në parlament, pasi partitë janë të interesuara për të thithur sa më shumë elektorat.