E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOP: Duhen ligjëruar zonat informale

05/02/2005  Strategjia e Komitetit të Orientimit të Politikave për legalizimet parashikon që dhënia në pronësi të tokës, të shoqërohet dhe më një grup dispozitash, që do të bëjnë të mundur integrimin social. Hartuesit e strategjisë janë të mendimit se një proces i rregullt legalizimi nuk duhet të përfundojë vetëm me rregullimin fizik të çështjes, por edhe me integrimin social-ekonomik të zonave informale. Sipas strategjisë së hartuar nga KOP, ky proces duhet të përfundojë me dhënien e sigurisë mbi pronën, dhe për këtë specialistët e kësaj platforme propozojnë një sërë masash. Sipas tyre, shteti deri në momentin e legalizimit dhe pas tij duhet t’i sigurojë banorëve mbrojtje kundër përzënies me forcë të këtyre komuniteteve nga zonat ku janë vendosur ilegalisht. Sipas strategjisë, sigurimi i statusit të qytetarisë, përfshi të drejtat e regjistrimit civil, të votës dhe legjimitetit publik, janë pikat bazë. Hartuesit e platformës janë të mendimit se këto zona nuk duhen parë si të pasigurta, por duhet të promovojnë idenë e sigurisë dhe të nxitjes së investimeve. “Nisur nga eksperienca botërore, disa nga argumentet që mund të shërbejnë për të integruar këto zona në shoqëri, mund të jenë ato morale, etike, fetare, sociale, politike dhe ligjore. Sot mbi të gjitha dominon ideja se legalizimi justifikohet me të drejtat e njeriut”, thuhet në platformën e KOP për këtë çështje. Në këtë aspekt, sipas strategjisë së integrimit të zonave informale, duhen parë me kujdes disa aspekte që lidhen me humanizmin dhe interesin publik, aspektin ligjor dhe atë formal, por mbi të gjitha duhet të inspirohet respekti për ligjin dhe pronën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›