Shtohen punonjësit shqiptarë në BE
05/02/2005 Shqipëria do të ketë më shumë punonjës pranë institucionit të BE-së. Qeveria ka miratuar rritjen e numrit të punonjësve në misionin e vendit tonë pranë kësaj strukture, për shkak se negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në kanë arritur në një progres. Në vendimin e Këshillit të Ministarve, parashikohet shtimi i numrit të punonjësve deri në 8 persona, të cilët do të mbulojnë fusha kryesore të “Acquis Communitare”, çështjet e drejtësisë dhe rendit, bujqësisë, tregtisë, transportit dhe mjedisit. Kryeministri Fatos Nano dje ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqatës së botuesve shqiptarë. Në bisedë, Nano është ndalur në përpjekjet e botuesve kundër informalitetit në këtë fushë, si dhe respektimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e autorit. Nano i ka garantuar botuesve se "produkti i industrisë së librit do të jetë më i mbrojtur nga qeveria në përputhje me ligjin e ri për librin". Ndërsa nga botuesit është kërkuar mundësia për heqjen e TVSH-së nga industria e librit, e cila do të krijonte një impakt pozitiv jo vetëm për botuesit, por do t'u vinte në ndihmë shtresës së gjerë të lexuesve e dashamirësve të librit brenda dhe jashtë Shqipërisë.