“Do të përdorim skemat më favorizuese për punësimin”
Kryeministri Berisha në Fushë-Arrëz
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar dje prezantimin e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” në rrethin e Pukës. Gjatë paradites, kryeministri u ndal në bashkinë e Fushë Arrzit ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen e tij për zotin Alfred Qafa.
“Unë jam sot këtu, gjithashtu, për të marrë zotimin e angazhimin tim se suksesin e zotit Alfred Qafa më datën 8 maj, që sigurisht është një sukses i madh personal i tij, do ta shndërrojmë në mirësi, në sukses, në mbarësi për secilin prej jush, për çdo familje tuajën, për bashkinë e Fushë Arrzit, për komunitetin e Fushë Arrzit”, tha Berisha.
Duke renditur disa nga investimet e bëra në këtë bashki, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Alfred Qafa dhe se do të përdorë skemat më favorizuese për punësimin dhe nxitjen e investimeve në këtë zonë.
Kryeministri deklaroi se gjatë katër viteve që shkuan në këtë bashki qeveria ka investuar mbi 220 milionë lekë, është ndërtuar unaza e qytetit, ndërtuar e rindërtuar rrugë, shkolla, fazën e parë të ujësjellësit, kanalizime, ura.
“Jemi përpjekur të ndryshojmë për mirë jetën tuaj. U kemi financuar projekte fermerëve të Fushë Arrzit. Unë vij sot te ju për tu zotuar solemnisht se katër vitet që vitet që vijnë qyteti i Fushë Arrzit, fshatrat e tij, nuk do të kenë më as edhe një kilometër rrugë pa asfaltuar. Siç bëmë unazën, siç ndërtuam rrugën kombëtare Vau Dejës - Qafë Mali, do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie. Ndërtimi i rrugës së kombit, Durrës - Kukës, e ka shmangur në një farë mënyre qytetin e Fushë Arrzit, por ju jap fjalën se në segmentin më të shkurtër do ta bashkojmë Fushë Arrzin me rrugën e kombit dhe me Tiranën. Ne kemi investuar për modernizimin e shkollave. Katër vitet që vijnë çdo shkollë e kësaj bashkie do të jetë e rindërtuar me parametrat më modernë. Ne do të vazhdojmë fazat e tjera të ndërtimit të ujësjellësit, në mënyrë që ju të keni ujë 24 orë. Ne do t’ju mbështesim ju për shërbimet më të mira dhe më cilësore”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi se 8 maji është një ditë e madhe, një ditë feste e vërtetë për demokracinë. “Më 8 maj ju firmosni për projektet që do të ndërtohet në katër vitet që vijnë në Fushë Arrëz e në mbarë Pukën. Ju ftoj të votoni Alfred Qafën. Ju garantoj që katër vitet që vijnë do të shumëfishojmë investimet për rrugët tuaja dhe Fushë Arrzin modern, për punësimin tuaj, për shkollimin e fëmijëve tuaj, për shërbimet më të mira, për bujqit e fermerët e Fushë Arrzit, për hapjen e vendeve të reja të punës. Një Fushë Arrëz i zhvilluar, një Pukë e zhvilluar, një Shqipëri e zhvilluar është objektivi ynë”, përfundoi Berisha.