Ferdinand Xhaferaj: “Do të përgjysmohen taksat për tregtarët, brenda katër viteve”

Modeli i transparencës pritet të vihet në zbatim edhe në bashkinë e Durrësit
“Përgjysmim të taksave brenda katër viteve dhe heqjen e taksës për ato shërbime të cilat nuk ofrohen prej bashkisë, duke i dhënë fund kështu praktikave abuzive që janë aplikuar deri më tani nga bashkia e Durrësit”.
Ka qenë ky premtimi i bërë nga kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për postin e bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, në takimin me tregtarët në tregun industrial të qytetit. “Ne do të bëjmë çfarë është e mundur që të përgjysmojmë taksat brenda katër viteve të mandatit, ndërsa për ato shërbime, të cilat bashkia nuk i ofron, ju nuk do të detyroheni të paguani asnjë detyrim fiskal, sepse kështu funksionon në të gjithë vendet”, u shpreh Xhaferaj, ndërsa siguroi tregtarët për lehtësirat që do të ofrojë bashkia ndaj tyre.
“Ne paguajmë taksë ndriçimi dhe drita këtu nuk kemi. Ndërkohë që energjinë elektrike e kemi të nevojshme për punën tonë,kjo energji nuk na vjen. Paguajmë taksë gjelbërimi dhe as gjelbërim nuk kemi. Pse duhet të paguajmë atëherë, kur nuk na ofrohen këto shërbime?”, u shprehen nga ana e tyre, vetë tregtarët.
Më pas Xhaferaj, duke u futur në brendësi të tregut, pati mundësinë të kontaktonte thuajse më të gjithë tregtarët të cilët zhvillonin aktivitetin e tyre në tregun industrial, duke u njohur në këtë mënyrë edhe me një sërë problematikash të tjera, siç janë sistemi i kanalizimeve përreth tregut si edhe tregtimet abuzive, të cilat janë të vendosura jashtë tregut. Edhe pse një treg i rindërtuar kohët e fundit, ai nuk ofron plotësisht kushtet e një tregu normal. Tregtarëve iu vilen taksa për shumë shërbime, ndërkohë që një pjesë e këtyre shërbimeve, siç edhe pohojnë vetë ata, nuk ju ofrohen. Rasti më konkret është tarifa e ndriçimit dhe ajo e gjelbërimit.
Sipas tregtarëve, kjo tregon për një papërgjegjshmëri të punës së bashkisë në katër vitet që kaluan, gjë e cila ka rënë në kurriz të tyre.
Nga ana e tij kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Durrësit, Xhaferaj iu premtoi atyre se ai do të bëjë të mundur që sistemi i vjeljes se taksave dhe ofrimi i shërbimit për këtë vjelje, do të jetë i rregullt e në shërbim të të dyja palëve.