E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Do të reformojmë sistemin e shëndetësisë"

Partia më e madhe e opozitës deklaron se programi i saj krijon mundësinë që investimi publik për sektorin e shëndetësisë të rrjedhë nga buxheti i shtetit. Në vijim të turit të prezantimit të programit qeverisës të selisë rozë, kryesocialisti Edi Rama u ndal dje në qytetin e Elbasanit, si një nga rajonet që ka shifrat më të larta të problemeve me shëndetin. "Dua të përqendrohem më tepër në kapitullin e programit tonë për shëndetësinë në Elbasan, pasi ky rreth prezanton nivelin më të ulët të vizitave mjekësore, ku sipas statistikave tona është rreth 38 për qind më e ulët se mesatarja në shkallë vendi", pohoi kreu i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, paaftësia e drejtimit në shëndetësi ka ardhur si rezultat i pazareve të Kryeministrit Berisha me aleatët, por që kanë shkatërruar sistemin shëndetësor në vend. "Programi ynë parashikon që i gjithë investimi publik për sektorin e shëndetësisë të rrjedhë nga buxheti i shtetit", shtoi Rama. Megjithatë, fajin për krizën në shëndetësi Rama e ka shtrirë edhe në kohën e qeverisjes së mëparshme socialiste, por sipas tij, në këto katër vjet ajo ka marrë trajtë të plotë deri në asfiksim total të drejtimit dhe menaxhimit të këtij sektori. Më tej, kreu socialist, Rama u përqendrua te problemet e varfërisë dhe nivelit të lartë të papunësisë. Ai bëri të ditur se PS është për një reformim rrënjësor të qeverisjes dhe do të punojë fort për uljen e nivelit të papunësisë ku Elbasani sërish qëndron me 10 për qind më lart se mesatarja e republikës. Sa për varfërinë, sipas tij, në zonat malore të vendit ky nivel është 50 për qind dhe sërish Elbasani ka shkallën më të lartë. "Mjaft më me lëmoshat qeveritare për shtresat në nevojë. Por ne do të nxisim një mënyrë të re për ndihmë ekonomike dhe asistencën, duke nxitur politikat e punësimit brenda kësaj kategorie", pohoi lideri socialist.

Duke sqaruar procesin e hartimit të programit qeverisës, i cili nisi prezantimin zyrtar në fillim të kësaj jave, kreu socialist tha se ky program është hartuar dhe shkruar në njëmijë faqe, por para socialistëve të këtij rrethi do të jepeshin të koncentruara vetëm shtatë shtyllat e kësaj qeverisjeje. Program i ri për shëndetësinë, arsimin, rritjen e prodhimit vendas, fshatin, mjedisin, turizmin, kohezionin social dhe punësimin mbeten shtatë kapitujt kryesorë të projektit të qeverisjes pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Prezantimi i programit nisi ditën e martë në qytetin e Laçit duke publikuar masat për papunësinë dhe varfërinë. Më tej, duke vazhduar në qytetin e Lezhës, Rama zbardhi disa prej masave të tjera që shumëfishojnë ndihmën ekonomike dhe ulin nivelin e papunësisë. Në Lazarat, Rama premtoi se do të ketë marrëveshje me Italinë dhe Greqinë për pensionet e mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë prej shumë vitesh në këto dy vende. Para pjesëmarrësve të mbledhur në Kalanë e Elbasanit folën po për çështjet e programit të qeverisjes socialiste edhe anëtari i kryesisë Arben Malaj, kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, dhe krerët lokalë të degës së kësaj partie në Elbasan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›