E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Do të trajtojmë të gjitha pronat pa asnjë dallim”

04/05/2005  Flet Andi Gurashi krytari komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave në Shkodër

Detyra e komisionit të kthimit dhe të kompensimit të pronave, fillimisht konsiston në pritjen e kërkesave, trajtimin e dosjeve të trashëguara dhe të reja deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Më pas, 30 ditë nga marrja e këtij vendimi, një kopje e tij, me hartën përkatëse dhe dëshminë e trashëgimisë apo prokurën e përfaqësimit, do të dërgohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe po të njëjtat dokumente do t’i jepen edhe pronarit.

SHKODER - Komisioni vendor i kthimit dhe kompensimit të pronave të Qarkut Shkodër, me zyrë në ambientet e Prefekturës, prej tre javësh ka nisur procesin dhe në dyert e tij vërehen çdo ditë dyndje të qytetarëve shkodranë. Për 14 vitet e fundit kanë qëndruar me shpresën se një ditë edhe prona do të shkojë tek i zoti. Aktualisht qytetarët e vjetër të Shkodrës, megjithë pasurinë e trashëguar, futen te shtresat më të varfëra të qytetit, megjithëse në vitet ‘93-‘96 iu kthyen sipas ligjit 10 dynym për çdo rast. Gjithashtu u kthyen edhe një pjesë e pyjeve, kullotave dhe livadheve, por edhe në të shumtën e rasteve nuk arritën t’i merrnin realisht, për shkak të zënieve të paligjshme dhe mosfunksionimin siç duhet të mekanizmit të lirimit të pronës. Lidhur me punën që është bërë deri në këto vite dhe punën që po bën aktualisht komisioni vendor i kthimit dhe i kompensimit të pronave për Qarkun e Shkodrës, kryetari i këtij komisioni, Andi Gurashi, flet për gazetën “Metropol”.

Ku është përqëndruar puna e komisionit në këto tri javët e para?

Fillimisht kemi nisur shqyrtimin e dosjeve të patrajtuara, që janë trashëguar dhe më pas do të shqyrtohen dosjet që do të paraqiten nga dita në ditë. Që nga fillimi i punës para tri javëve vërehet një fluks i madh qytetarësh që interesohen për kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre. Mund të them se çdo ditë kemi pasur rreth 40-50 të interesuar për këtë proces. Deri tani kemi dhënë udhëzimet dhe sqarimet përkatëse për plotësimin e dokumentacioneve të plota, si dhe u kemi ofruar qytetarëve asistencën juridike dhe teknike për të gjitha problemet që ata kanë.

Sa është numri i dosjeve të patrajtuara që keni trashëguar?

Fillimisht dua të sqaroj se nga viti 1993 deri 1996 ka pasur dy komisione paralele të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Njëri komision ka funksionuar pranë Bashkisë, për pronat e qytetit, dhe komisioni tjetër i rrethit ka trajtuar pjesën tjetër të pronave. Në vitin 1996, komisioni i Bashkisë është shkrirë dhe dosjet e patrajtuara kanë kaluar në zyrën tonë. Kthimi dhe kompensimi i pronave është bazuar në dy ligje, që janë, ligji nr. 7698 i dt. 15.04.93, me anë të të cilit janë trajtuar trojet në qytet dhe në fshat dhe ligji nr.7699, me anë të të cilit janë trajtur pyjet, livadhet, kullotat dhe tokat bujqësore. Deri në shtator të vitit 2004, për Shkodrën janë trajtuar në bazë të ligjit nr.7698, një numër i konsiderueshëm dosjesh nga ato që kanë qenë të hapura nga qytetarët. Kështu, në bazë të këtij ligji, nga 1060 dosje janë marrë 916 vendime, ndërsa në bazë të ligjit 7699, nga 605 dosje janë marrë 496 vendime. Gjithmonë në bazë të këtij ligji, për sa i takon trajtimit të pyjeve, livadheve dhe kullotave, janë marrë 18 vendime që përfshijnë kthimin e 243,55 ha pyjeve, 7 vendime që përfshijnë kthimin e 17,55 ha livadheve, 23 vendime për kthimin e 428,65 ha kullotave dhe 2 vendime për kthimin e 4,95 ha toka pyjore. Pra, duke iu referuar shifrave, mund të them se numri i dosjeve të patrajtuara është i vogël.

Po si shpjegohet fakti i fluksit të madh të qytetarëve të interesuar për këtë proces?

Në radhë të parë janë qytetarët, dosjet e të cilëve nuk kanë qenë të trajtuara. Pas verifikimit nga ana jonë të këtyre dosjeve rezultoi se ata nuk kishin mundur të trajtoheshin për mungesa në dokumentacionet e paraqitura nga qytetarët. Për t’u ardhur në ndihmë kësaj kategorie qytetarësh, ne kemi marrë masat dhe i kemi dërguar me postë shtëpi më shtëpi lajmërimet për mungesa të dokumentacioneve, në mënyrë që t’i plotësojnë sa më shpejt. Përveç këtyre është një numër i konsiderueshëm qytetarësh që nuk kanë paraqitur kërkesë, pra në komisionit për t’iu kthyer apo kompensuar prona. Arsyeja kryesore e moskërkesës së tyre ka qenë çmimi i ulët i kompensimit, që u reklamua në vitet e para të fillimit të punë së komisionit

Fillimisht, ku do të përqëndrohet puna e komisionit dhe çfarë avantazhesh ka sjellë ligji i ri?

Detyra e komisionit të kthimit dhe të kompensimit të pronave, fillimisht konsiston në pritjen e kërkesave, trajtimin e dosjeve të trashëguara dhe të reja deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Më pas, 30 ditë nga marrja e këtij vendimi, një kopje e tij, me hartën përkatëse dhe dëshminë e trashëgimisë apo prokurën e përfaqësimit, do të dërgohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe po të njëjtat dokumente do t’i jepen edhe pronarit. Ndërsa, për sa i përket avantazheve që paraqet ligji i ri nr.9235, për pronarët është mjaft pozitiv fakti që do të trajtohen të gjitha pronat e tyre, si dhe në bazë të këtij ligji, komisioni është i detyruar që ta çoj procesin deri në piketimin e pronës së pronarit, gjë që s’është bërë më përpara.

A ka ardhur nga Komiteti Shtetëror çmimi i kompensimit të sipërfaqeve të pronave në Shkodër, dhe a është përcaktuar ndonjë sipërfaqe e lirë shtetërore për kompensim fizik?

Tani për tani nuk ka ardhur ende çmimi i kompensimit për zonën e Shkodrës, për arsye se nuk ka dalë ende në Fletoren Zyrtare. Po kështu, nuk kemi akoma asnjë përcaktim të sipërfaqeve ku do të kompensohen pronarët që i kanë pronat e zëna.

Sa janë tarifat që do të paguajnë qytetarët?

Për qytetarët që bëjnë kërkësë për hapjen e dosjeve të reja, tarifa është 3 mijë lekë (të reja), ndërsa për kategorinë tjetër të qytetarëve që i kanë dosjet ekzistuese është vendosur një tarifë prej 1 mijë lekë (të reja).

Si i keni marrëdhëniet me institucionet e tjera, me të cilat lidhet puna juaj?

Deri tani marrëdhëniet i kemi pasur shumë të mira dhe mund të them se punojmë si një grup harmonik. Besoj se kjo mënyrë bashkëpunomi do të sjellë rezultate pozitive në punën tonë si dhe në drejtim të realizimit të të gjitha kërkesave të qytetarëve, që po paraqesin një interesim mjaft të madh këto ditë.

3 javë

punë Komisioni Vendor

1060 dosje trajtuar

sipas Ligjit Nr. 7698

916 vendime të marra

sipas Ligjit Nr. 7698

605 dosje trajtuar

sipas Ligjit Nr. 7699

496 vendime të marra

sipas Ligjit Nr. 7699

3 mijë lekë tarifa

për qytetarët që hapin dosje të reja

1 mijë lekë tarifa

për qytetarët që kanë dosje të vjetra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›