E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emigrantët, 12 orë pritje në doganën greke të Kapshticës

04/05/2005  Frikë për të ardhur ditën e votimeve

KAPSHTICË – Emigrantëve shqiptarë, të ardhur nga Greqia, iu janë dashur 12 orë pritje para sporteleve të doganës greke në Kapshticë për të marrë një vulë. Mbi 300 automjete kanë qëndruar të vendosura në radhë. Vargu i makinave të bllokuara nga vonesat shkonte në më shumë se dy kilometra.

Shkaku i krijimit të kësaj situate, si gjithnjë ka qenë mosfunksionimi i sporteleve me kapacitet të plotë nga ana e palës greke. Emigrantët shqiptarë kanë udhëtuar për gjithë natën për të qenë sa më herët në doganën greke, por sërish janë përballur me pritje dhe vonesa të tejzgjatura.

Nga vetë emigrantët mësohet se kanë qëndruar përpara sporteleve të kësaj dogane për 12 orë rresht, pa mundur të kalojnë. Sipas tyre, dogana greke e Kapshticës nuk funksinon me kapacitet të plotë. Ky fakt është pohuar edhe nga komandanti i doganës shqiptare në Kapshticë, Ylli Gaxhi, i cili ka pohuar për gazetën “Metropol” se, “edhe gjatë ditës së martë, dogana greke nuk ka funksionuar me të gjitha sportelet, ashtu siç kishte premtuar ditë më parë. Për këtë arsye, nga autoritetet e doganës shqiptare është kërkuar një takim urgjent më autoritetet e policisë së Follorinës, nga e cila varet dogana greke, për të shmangur situatën mjaft shqetësuese në doganën e Kapshticës. Pas këtij takimi, tha Gaxhi u bë e mundur hapja e sporteleve të tjera”.

Pritjet e gjata kanë frikësuar emigrantët edhe për ardhjen e tyre ditën e votimeve. Shumë prej tyre pohuan se me këtë funksionim të doganës greke do ta kenë të vështirë të marrin pjesë në votime, edhe pse kanë dëshirë të votojnë për qeverinë e ardhshme të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›