E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy ‘të zhdukurat’ refuzojnë fshatin,zgjedhin të punojnë kamariere në Korçë

04/05/2005  Vajzat, që ndiqnin sektin e “Dëshmitarët e Jehovait”, u deklaruan të zhdukura

KORÇE - Dy ish-studentet e Universitetit “Fan Noli”, në Korçë, besimtare të sektit “Dëshmitarët e Jehovait”, Anjeza Koli, e diplomuar për infermieri dhe Basere Muça, e diplomuar në mësuesi, që të dyja nga fshati Orman, i komunës Pojan, me moshë 23 vjeçe, nuk janë zhdukur, por ato nuk dëshirojnë të kthehen sërish në fshatin e tyre, edhe pse kanë një vit që kanë përfunduar studimet.

“Zonat rurale nuk të japin asnjë mundësi për jetesë, madje nuk të krijojnë asnjë shans për të ushtruar profesionin, për të cilin kanë investuar për vite të tëra”, mësohet të jenë shprehur dy vajzat.

Mungesa e dëshirës për të mos u kthyer në fshat, ka ngjallur shqetësim te familjet e dy ish-studenteve.

Arshin Muço, babai i Baseres, pohon për gazetën “Metropol” se, “vajza ime nuk është zhdukur. Baserja bashkë me shoqen e saj të ngushtë, Anjeza Koli, jetojnë në Korçë, në një shtëpi me qira, madje të sistemuara në punë si kamariere. Me qira ato kanë jetuar që nga fillimi i studimeve në Universitetin “Fan Noli” dhe në fshat ktheheshin vetëm për fundjavë”, tregon babai i Baseres.

Të njëjtën gjë, thotë më tej ai, bëjnë edhe tani që janë të sistemuara me punë në Korçë.

Arshini nuk e mohon që ato të kenë ndjekur sektin e “Dëshmitarëve të Jehovait”, ndërsa nuk e lidh me këtë sekt moskthimin e tyre në fshat.

“Sigurisht, që janë ‘Dëshmitare të Jehovait’, të lidhura me këtë sekt që nga shkolla e mesme, por nuk është ky shkaku i mosardhjes në fshat. Vajzat përpiqen të ndërtojnë jetën e tyre, sepse duke qenë në Korçë kanë më tepër mundësi për të nisur punë në profesionin, për të cilin kanë studiuar. Baserja, tashmë është e rritur, e arsimuar, dhe e zonja për të përballuar jetën. Sigurisht që do të dëshiroja që vajza ime të ishte pranë familjes, por të gjithë të rinjtë po ikin nga fshati, përfundon ai, sepse zonat rurale pak mundësi ofrojnë për të ardhmen”.

Të afërmit e Anjezës, “të zhdukurës” tjetër

“Policia të na kthejë vajzën qoftë edhe forcërisht në shtëpi”

Të afërmit e vajzës tjetër, Anjeza Kolit, kërkojnë ndihmën e uniformave blu për kthimin forcërisht të saj në shtëpi.

Kontradikta në familjen Koli dhe vajzës së tyre, tashmë është thelluar dhe prindërit kërkojnë me çdo kusht kthimin e saj. Për këtë arsye, babai i saj, Vladimir Koli, ka kërkuar edhe ndihmën e policisë në Korçë.

Moskthimi i vajzave në fshat ka qenë më shumë se shqetësim për familjen e Anjeza Kolit. Nëna e saj, Pandora dhe babai i saj Vladimiri, kanë këmbëngulur që vajza e tyre të kthehej në shtëpi. Për të realizuar këtë dëshirë kanë dashur ta marrin forcërisht vajzën e tyre, por ajo nuk është bindur të kthehet në fshatin Orman.

Sherret e dyshimet e familjarëve me “Dëshmitarët e Jehovait”

Një javë “zhdukja” e dy ish-studenteve

KORÇË - Rreth një javë më parë, dy vajza të reja, 23-vjeçare, largohen nga familjet dhe “kthehen në hiç”. Asnjë komunikim me familjet e tyre nuk kanë patur Anjeza Koli dhe Basrie Muça, të cilat nga familjet u deklaruan të zhdukura.

Prindërit e vajzave, të cilat kishin mbaruar Universitetin “Fan Noli“, nuk i kanë kursyer në asnjë moment akuzat ndaj selisë dhe përfaqësuesve të degës së “Dëshmitarëve të Jehovait” në qytetin e Korçës.

Sipas tyre, vajzat ishin larguar me “dëshmitarët” ose mbaheshin peng ndaj tyre. Situata ka precipituar pas një telefonate që babai i Anjeza Kolit, i ka bërë të bijës. Fjalia “jam jashtë Korçës për punë” ka ngritur peshë prindërit e dy vajzave që për të mos u kthyer në fshat punonin si kamariere në Korçë.

Sherr ka patur edhe në zyrat e sektit fetar “Dëshmitarët e Jehovait”. Babai i 23-vjeçares Vladimir Koli nuk i ka kursyer akuzat për zhdukjen e vajzës si dhe ndaj demagogjisë së këtij sekti. Konflikti është shndërruar në dhunë, por për vajzat akoma nuk kishte asnjë informacion.

Çdo gjë që dyshonin prindërit e bënë publike dhe në media. Ata shfaqën hapur irritim për përfshirjen e dy të rejave në këtë sekt, duke thënë se atyre iu ishte bërë një rekrutim perfekt dhe se tashmë nuk donin askënd, as familjarët dhe bënin çdo gjë që iu kërkohej nga feja e tyre. Sipas tyre, nuk ishte aspak normale që vajzat të shkonin derë më derë, duke shpërndarë broshura dhe duke iu thënë njerëzve se këto janë ditët e fundit të botës dhe se kushdo që vdes do të ringjallet.

Largimin e Anjezës dhe të Basries nga familja Koli, deri para ditës së djeshme, e shihnin pazgjidhshmërisht si të lidhur me bindjet fetare që atyre iu ishin ngulitur në kokë nga “Dëshmitarët e Jehovait”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›