Prokuoria: Leka Zogu të mos mbaje koleksionin e armëve
23/12/2004 TIRANË - Nëpërmjet apelimit të një vendimi të Gjykatës së Faktit në Tiranë, Prokuroria kërkon që trashëgimtari i fronit mbretëror, Leka I, të mos e mbajë koleksionin e armëve të tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Apelit në Tiranë, thanë dje se organi i akuzës e ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës në Shkallën e Dytë të gjyqësorit. Ky veprim është kryer dje, nga prokurori i çështjes, duke kundërtuar kështu mbajtjen e koleksionit të armëve nga trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar. Sipas Prokurorisë, vendimi i dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, është bazuar në një ligj të Parlamentit për koleksionet mbretërore. Organi i akuzës, tha se vendimi i Gjykatës është i parregullt dhe i pabazuar në ligj, pasi ligji i Parlamentit në të cilin është bazuar vendimi i togave të zeza, nuk përcakton armët në koleksionet e lejuara të familjes mbretërore. Sipas vlerësimeve të Prokurorisë në koleksionin e armëve që mban pretendenti i fronit mbretëror shqiptar, Leka I, ka armë të kalibrit të madh luftarak, të cilat nuk mund të klasifikohen për koleksion. Pas apelimit, Prokuroria ka kërkuar ndihmën e një eksperti balistik, të cilit do t'i kërkohet të ekspertojë dhe vlerësojë në mënyrë profesionale armët e zjarrit, që ndodhen në koleksionin mbretëror. Prej dy vitesh, me një urdhër të Prokurorisë së Tiranës, koleksioni i armëve të Lekës së Parë mbahet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Armët u bllokuan nga policia e Rinasit gjatë kontrolleve, ditën kur familja mbretërore u kthye në Shqipëri, për të jetuar në vendin e lindjes dhe mbretërimit të Ahmet Zogut. Pas kontrollit të bërë në bagazhet mbretërore, ditën e mbërritjes së familjes në aeroportin e Rinasit, Prokuroria filloi çështjen penale dhe i kërkoi Gjykatës të mos i lejonte trashëgimtarit të fronit mbretëror, mbajtjen e koleksionit të armëve. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, pak ditë më parë, ia lejoi familjes mbretërore mbajtjen e armëve me anë të një vendimi, i cili dje është apeluar nga Prokuroria, duke u cilësuar si i paligjshëm