E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët, 25 bursa studimi për në Rusi

Autori i Lajmit: red.
Në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit, Qeveria ruse ofron 25 (njëzet e pesë) bursa studimi për në universitetet publike të Federatës Ruse, 20 bursa për studime universitare dhe 5 për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2009-2010. Meqenëse masa e bursës është e vogël, studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 300 USD në muaj. Gjithashtu, të gjithë studentët që do të fillojnë studimet për vitin akademik 2009-2010 duhet të paguajnë siguracionin shëndetësor në shumën deri në 250 USD në vit. Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2009. Ministria e Arsimit të Federatës Ruse njofton se pranimi për studime në shkollat e larta të Rusisë për specialitetet e mëposhtme është i kufizuar: Drejtësi - një bursë; Politologji - një bursë. Aplikantët të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dokumentet e mëposhtme: Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 30 prill 2009.
Dokumentet për studime universitare:
1. Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë;
2. Vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës;
3. Raportin mjekësor për aftësi studimesh;
4. Raportin mjekësor për virusin SIDA;
5. Certifikatën e lindjes me fotografi;
6. Kopjen e pasaportës (Pasaporta duhet të jetë e vlefshme deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi);
7. Tetë fotografi dokumenti (4x6)
Për studime pasuniversitare:
1. Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën dëshiron të studiojë,
2. Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar;
3. Listën e notave, fotokopjen e noterizuar;
4. Dy rekomandime nga profesorë të Universitetit;
5. Listën e artikujve shkencorë të botuar (nëse ka të tillë) ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm;
6. Certifikatën e lindjes me fotografi;
7. Kopjen e pasaportës (Pasaporta duhet të jetë e vlefshme deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi);
8. Raportin mjekësor për aftësi studimesh;
9. Raportin mjekësor për virusin SIDA;
10. Tetë fotografi 4x6
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›