“Do t’i bëjmë shqiptarët të ndihen evropianë, duke lëvizur të lirë në Evropën e bashkuar”
Deklaron Ministri i Brendshëm Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi dje gjatë kumtesës së tij në seminarin “Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe Shqipëria”, organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Instituti i Kërkimeve “Alcide De Gasperi” se “heqja e vizave midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe Shqipërisë në veçanti, është tulla e fundit e Murit të Berlinit”.
Në fjalën e tij ministri Basha solli në vëmendjen e të pranishmëve konstatimin se njëzet vjet më pas, Muri i Berlinit ka rënë në të gjitha dimensionet dhe format e tij në Shqipëri, rreth saj dhe në Ballkanin Perëndimor.
Pikërisht në referim të këtij fakti, duke u ndalur tek momenti i heqjes së vizave me Bashkimin Evropian, ministri Basha e cilësoi historik vendimin e Parlamentit Evropian që i kërkoi Komisionit Evropian që Shqipërinë së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i rendisë në listën e bardhë të vendeve Shengen, duke kërkuar që konfirmimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, të bëhet menjëherë pas konfirmimit të kritereve teknike. Ministri Basha theksoi në fjalën e tij se, “secili prej sistemeve që zotëron sot Shqipëria është qartësisht më modern, më i përparuar dhe më efikas se cilido prej sistemeve prezent në Ballkanin Perëndimor, i krahasueshëm, madje edhe me disa vlera teknike superiore ndaj sistemeve të praktikuara në zonën ‘Schengen’”.
Në këtë aspekt, ministri Basha informoi të pranishmit se “me rënien e murit të vizave, qytetarët shqiptarë përfundimisht do të realizojnë atë ëndërr, e cila u bë lajtmotivi i jetës së tyre për liri dhe demokraci. ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’. T’i bëjmë shqiptarët të ndihen evropianë, dinjitozë, duke lëvizur të lirë në Evropën e bashkuar”, deklaroi më tej ministri Basha.