“Integrimi në BE është prioritet madhor i politikës shqiptare”
Kryetarët e qeverive të “NEQ” miratojnë dokumentin final, ku mbështesin KE për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mbajti dje fjalën e mbylljes në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ), duke konkluduar se integrimi në BE është prioriteti më madhor i politikës shqiptare.
Shefi i diplomacisë shqiptare, Meta, kryesoi Delegacionin e Shqipërisë në fokus të këtij Samiti, i cili përkon me 20 vjetorin e krijimit të NEQ-it, ishte vlerësimi për një bilanc pozitiv të kësaj nisme e cila lindi vetëm pak ditë pas rënies së Murit të Berlinit. Gjatë njëzet viteve të ekzistencës së saj, NEQ ka marrë pjesë aktivisht në ndryshimet historike në Evropë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut politik, demokracisë, tolerancës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe Shtetit të së Drejtës. Gjatë punimeve të këtij Samiti u miratuan disa dokumente të rëndësishme si, Plani i Veprimit për vitet 2010-2012, Deklarata e 20 vjetorit të Krijimit të NEQ-it si dhe Dokumenti politik i Samitit.
Në Dokumentin final të Samitit, të gjithë kryetarët e qeverive, mes tjerash, mbështetën angazhimin e Komisionit Evropian për të liberalizuar regjimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti, u theksua nevoja që të merret sa më parë vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Në fjalën e tij në Samit, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi NEQ si një forum shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit konkret, nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme.
Duke nënvizuar integrimin evropian si sfidën më të rëndësishme të kësaj nisme, Meta theksoi se “vokacioni evropian i Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet i pandryshueshëm dhe si rrjedhojë, integrimi në BE është prioritet madhor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar”.
Në këtë kuadër, ai informoi Samitin lidhur me stadin aktual të procesit integrues të Shqipërisë në BE, duke u ndalur në aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në.
Ndërsa lidhur me lëvizjen e lirë, Meta shprehu besimin se “brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, ç`ka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për secilin prej vendeve tona”.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, klima e sigurisë dhe paqes në rajon, veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës ishin pika të tjera që u evidentuan gjatë fjalës së Metës në këtë Samit.
Duke i konfirmuar kryetarëve të vendeve anëtare vullnetin e Shqipërisë për të vazhduar së qeni partnere aktive në përballjen e sfidave të kësaj Nisme dhe në realizimin e të gjitha axhendave të saj, Meta e siguroi Presidencën e ardhshme malazeze për mbështetjen dhe bashkëpunim e ngushtë të palës shqiptare. Mbajtja e këtij Samiti shënoi përfundimin e Presidencës rumune të Nismës së Evropës Qendrore, ndërsa për vitin 2010 Presidenca do t’i kalojë Malit të Zi.