E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i Pentagonit: “SHBA-ja nuk inkurajon bojkotin, Shqipëria po kalon momente madhore”

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami u takua dje në Uashington me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts si dhe me Zëvendës/asistentin e Parë të Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Geits deklaroi dje gjatë takimit ne Ministrin shqiptar të Mbrojtjes Arben Imami, se bojkoti i parlamentit nga pala e opozitës ëhstë veprim i tepruar dhe njëherazi i pajustifikueshëm. Geits vuri në dukje se SHBA nuk ka simpati për këtë vendim, porsa kohë është momenti që Shqipëria të kalojë procese të rëndësishme në kuadër të integrimit.
 “SHBA nuk ka simpati për këtë bojkot, aq me tepër tani që vendi po kalon momente madhore për shkak të proceseve integruese”, u shpreh Geits.
Një tjetër pikë e diskutuar në takim ishte prania e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan.
Imami u prit nga “kordoni i nderit”, ashtu siç janë pritur edhe ministrat e tjerë të mbrojtjes.
“Shqipëria është e angazhuar në Afganistan. Ne e kemi rritur praninë tonë gjatë këtij viti me një kompani për zgjedhjet. Do çojmë shumë shpejt në parlament edhe një ligj për dërgimin e një skuadre mjekësore. Do çohen edhe disa oficerë, por më e rëndësishmja është se do ngremë nivelin operacional të trupave tona në Afganistan”, tha Imami.
Minsitri Imami është ministri i parë i mbrojtjes i qeverisë së re “Berisha” që viziton Pentagonin dhe ky ishte një takim për të vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë me trupa dhe me nisma të tjera, si anëtare e NATO-s, në Afganistan.
Aktualisht, Shqipëria ka dy kompani në Afganistan.
Po kështu, Zëvendësasistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones është shprehur gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se SHBA-të nuk e mbështesin bojkotin e opozitës.
“Unë nuk e mbështes, nuk kam simpati për bojkotin. Kur humbet duhet të pranosh humbjen”, u shpreh Jones.
Ky deklarim u bë gjatë një takimi zyrtar që ministri i Mbrojtjes, Arben Imami zhvilloi në Departamentin e Shtetit me Stuart Jones.
Ministri Imami dhe Jones diskutuan mbi zgjedhjet që u zhvilluan me 28 Qershor në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se zgjedhjet ishin një fitore e madhe e demokracisë shqiptare.
“Fiksimi elektronik i çdo vote gjatë numërimit u provua efiçente si procedurë. Qeverisja me bazë të gjerë që doli prej këtyre zgjedhjeve është shenjë e pjekurisë politike. Parlamenti është funksional, qeveria e angazhuar dhe koalicioni i përgjegjshëm për qeverisje të mirë dhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Imami.
Zoti Jones u shpreh se opozita duhet të shkojë në Parlament pikërisht për të ndihmuar procesin e integrimit të vendit.
“Shqipëria e fitoi NATO-n, por tani diskutohet anëtarësia e saj në BE. Opozita duhet të shkojë në Parlament, pikërisht për të ndihmuar në këtë proces, madje prisnim që duhet të kishte shkuar tashmë”, tha Jones.
Më tej ai u shpreh edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh.
Jones, duke folur për demilitarizimin u shpreh se ndjehet i lumtur “që ndihmesa e qeverisë amerikane në lidhje me demilitarizimin është dhe duhet përdorur me mençuri dhe përgjegjësi. Ju inkurajojmë fort që të vazhdoni në këtë proces në mënyrë sa me metodike. Shqipëria ka bërë shumë përpara, në procesin e demilitarizimit”, u shpreh ai.
Jones përgëzoi ministrin Imami edhe për detyrimet që ka marrë Shqipëria në kuadër të ISAF, në Afganistan. Ai u shpreh se qeveria amerikane do të mbështesë plotësisht hapat që do të ndërmarrë Shqipëria për të forcuar luftën ndaj korrupsionit, respektimin e shtetit të së drejtës, dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ai garantoi më tej edhe mbështetjen e Shqipërisë nga SHBA-të për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin  Evropian.
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ndodhet në një vizitë disa ditore në SHBA ku po zhvillon takime të rëndësishme me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›