E Diel, 1 Nëntor 2026

"Do ulim shpenzimet qeveritare dhe do të subvencionojmë bujqësinë"

28/02/2005  Kreu i PD-së tha në Fier se është gati të jetë përballë me kryeministrin në një media të huaj

Berisha kërkon ballafaqim me Nanon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar dje së është i gatshëm të përballet në një debat publik me kryeministrin Nano. "Unë jam gati të dal që nesër në një takim, në një media të huaj apo dhe të vendit e t'ia plas në sy të gjitha poshtërsitë që ka bërë kryeministri. Unë këtë e bëj dhe nga respekti që kam për socialistët", tha Berisha. Këto deklarata, kreu i PD-së i bëri gjatë një takimi me anëtarët dhe simpantizantët e rrethit të Fierit, ku ka vijuar turin e tij paraelektoral, "Ditët e Shpresës". Ndërkohë, Berisha është shfaqur skeptik lidhur me akuzat e kryeministrit Nano, të bëra një javë më parë në qytetin e Fierit sipas të cilit, kreu i PD-së kërkon të ndajë Shqipërinë e Jugut nga Veriu. "Nuk më shqetësojnë aspak deklaratat e Nanos, sepse për shqiptarët, kryeministri është tashmë një njeri i pabesueshëm", tha Berisha.

Premtimet

Në takimin me simpatizantët e Fierit, Berisha ka përsëritur dhe një herë premtimin e PD-së, për dyfishimin e pensioneve, uljen e taksave për biznesmenët, si dhe përkrahjen që do i jepet fermerëve në rast se opozita fiton zgjedhjet. "Ashensori i zhvillimit tonë është ndalur, nuk po shkon më sipër, përkundrazi është shumë më poshtë, por ne, do ta nisim shumë shpejt këtë ashensor drejt lartësive. Ne do të dyfishojmë pensionet, ndërsa fermerëve do tu japim naftë deri në 400 lekë të vjetra për litër", deklaroi Berisha. Sipas tij, të gjitha financimet për ngritjen e pensioneve apo mbështetja për fermerët mund të arrihen duke shkurtuar shpenzimet qeveritare. "Ju do të pyesni nga do të dalin paratë? Nga shkurtimet drastike të shpenzimeve të qeveritarëve, nga puna, sepse PD është parti që u siguron shtetasve të vet të ardhmen e tyre, vetëm nëpërmjet punës", tha kreu i PD-së.

Akuzat

Kryetari i PD-së gjatë takimit, nuk ka harruar të akuzojë qeverinë socialiste për çuarjen e shoqërisë shqiptare drejt varfërisë së tejskajshme. "Kjo qeveri i ka sjellë shoqërisë varfërinë. 40 për qind e popullsisë jeton nën minimumin e varfërisë jetike me 1 dollarë në ditë për frymë. Për shkak të mungesës së alternativës dhe varfërisë së tejksajshme, 30 për qind e shqiptarëve janë të detyruar të emigrojnë në vende të ndryshme të botës. Pensionistët janë klasa më e varfër e shoqërisë. Për punën e një jete, ata marrin një shpërblim mujor më të vogël sesa shpenzimi ditor i pushtetarëve për kafshët e tyre shtëpiake", tha Berisha.

Ne do të dyfishojmë pensionet, ndërsa fermerëve do tu japim naftë deri në 400 lek të vjetra për litër. Ju do të pyesin nga do të dalin paratë? Nga shkurtimet drastike të shpenzimeve të qeveritarëve të cilët shpenzojnë shuma katastrofike, si dhe nga ulja e nivelit të ekonomisë informale

Ashensori i zhvillimit tonë është ndalur, nuk po shkon më sipër, përkundrazi është shumë më poshtë, por ne, do ta nisim shumë shpejt këtë ashensor drejt lartësive. Me ardhjen e PD-së në pushtet, qeveria do ti përkushtohet zhvillimit dhe integrimit të vendit. Kjo, me anë të angazhimit të shqiptarëve në punë.

Unë jam gati të dal që nesër në një takim ballë për ballë, në një media të huaj apo të vendit qoftë dhe t'ia plas në sy të gjitha poshtërsitë që ka bërë kryeministri. Unë këtë e bëj dhe nga respekti që kam për socialistët. Për këtë jam gati të hap të gjitha argumentet dhe faktet që kam

40 për qind e popullsisë shqiptare jeton nën minimumin e lejuar të varfërisë jetike me 1 dollarë në ditë për frymë. Për shkak të mungesës së alternativës dhe varfërisë së tejskajshme, 30 për qind e shqiptarëve janë të detyruar të emigrojnë në vende të ndryshme të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›