Mediu: Berisha të mbledhë opozitën
28/02/2005 Partia Republikane është deklaruar në favor të zgjedhjes së kryetarit të PD-së në postin e kryeministrit, në rast se opozita fiton zgjedhjet. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tha dje se forca kryesore e opozitës është ajo që duhet të ketë mandatin kryesues të qeverisjes së ardhshme. "Duke qenë se Partia Demokratike është forca kryesore e opozitës, natyrisht ajo duhet të ketë dhe mandatin kryesor për të drejtuar suksesin në aspektin e qeverisjes dhe është mëse normale që Berisha të jetë kryeministër", tha Mediu. Megjithatë, ai tha se është ende herët për të folur me emra konkretë për këtë çështje. Për të, e rëndësishme për opozitën është që të angazhohet në fitimin e zgjedhjeve parlamentare para sesa të nisë përzgjedhja e emrave konkretë. "Por ajo që mendoj është se zoti Berisha duhet të shohë me vëmendje të madhe, dhe që duket sikur është lënë në një pozicion dytësor, menaxhimin e marrëdhënieve të opozitës", tha Mediu.