“Do vazhdojmë të shprehim pikëpamjet tona kundër klientelizmit në PS”

Kastriot Islami
Rama linçon nga Kongresi Rexhep Meidanin dhe Servet Pëllumbin. Dy ditë më parë profesorët kundërshtuan programin e Partisë Socialiste, duke e quajtur atë një gënjeshtër të madhe.
Reagon Islami dhe Malaj: Akuzat ndaj Meidanit, të rënda dhe të pa-matura
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PS Kastriot Islami, një nga zërat e mendimit ndryshe në këtë forcë politike deklaron se PS vetëm zyrtarisht është e bashkuar. Islami tha se hapësirat e shprehjes së mendimit në PS janë kufizuar, megjithatë ai dhe kolegët e tij do të vazhdojnë të shprehin pikëpamjet e tyre. “Partia Socialiste filloi në vitin 2005-2009, atë që quhet ‘politika e re’. Ndodhi ajo që ndodhi, më 2009 dhe për këtë ‘politikë të re’ nuk flitet kurrë. Vetëm se po të shohim ashtu si atëherë, edhe sot u fol me të njëjtat terma, me të njëjtin optimizëm. Gjatë dy viteve të tjera, PS-ja u fut në një proces veprimesh, si bojkoti, i cili nuk u analizua nga baza e partisë. Po të ishte analizuar, Edi Rama nuk do të kishte marrë kritika nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Evropian dhe nga të gjithë faktorët. Po kështu, edhe sot, Rama, unë në fakt prisja tjetër gjë, i akuzoi të gjithë ata që shprehin një mendim tjetër nga ai që ka Rama. Ai tha se këta njerëz kanë qëllime të caktuara dhe kanë interesa personale. Por çfarë i kërkuam ne Rama në 2011? I thamë, ‘Drejto PS-në dhe mos kandido për Bashkinë e Tiranës’ dhe ndodhi që nga 9 me 2 bashkitë e PS-së, përfunduan 7 me katër për PD-në në Tiranë. Po kështu, këshillat nga në favor të Aleancës për të Ardhmen, kaluan në favor të Aleancës për Qytetarin. Pra, ndryshe nga ç’thotë një analist amerikan, që shprehet se politika shqiptare nuk duhet të jetë e personalizuar, ne bëmë të kundërtën e saj. Dhe në këtë gjë thamë, që e thotë dhe analisti amerikan, për klientelizimin dhe politikën e interesave. Ne e kishim shumë të thjeshtë të rrinim aty në cep, të qetë, të luanim, të kishim pozicione të larta dhe mund të vazhdonim të përfitonim. Por, ne zgjodhëm rrugën e sakrificës, për të thënë mendimin ndryshe, që natyrisht nuk i pëlqen Rama”, u shpreh dje Islami, pas punimeve të kongresit.
Duke u ndalur te akuzat e Ramës ndaj Rexhep Meidanit dhe Servet Pëllumbit, të cilët kanë shprehur rezerva për programin politik të PS, Islami tha se PS vuan nga mungesa e reflektimit.
“Mu krijua një lloj pesimizmi, sepse prisja sot në mënyrë elegante, indirekte, pa e thënë ndoshta më fjalë, se liderët e partive e kanë të vështirë të reflektojnë, të thuhej diçka për këto mendime që janë thënë. Por, nuk e pashë këtë. Dëgjova vetëm, ‘Në prerin e Berishës, në prehrin e Berishës’. Po si mund të thuhet kjo? Si mund t’i thuhet kjo prof. Rexhep Meidanit, që nuk është një anëtar i thjeshtë? Sepse bëri një analizë ndryshe të propozimeve të PS-së dhe tha që duhet të jenë më këmbë në tokë. Ose, a mund të thuhet kjo dhe të merret vetëm si batutë ajo çka tha prof. Servet Pëllumbi? Ai ua tha në sy që PS-ja është kthyer në një OJF, pa ideale, pa ide dhe pa emocione. Dhe në mënyrë indirekte, Rama thotë se këta po çojnë ujë në mullirin e Berishës. Problemi tjetër lidhet më mënyrën e organizmit. Nuk mund të flasin të tjerët më dyer të hapura dhe pjesa tjetër me dyer të mbyllura. Çfarë tha Arban Malaj që duhet të mbylleshin dyert? Nuk tha asgjë më shumë dhe asgjë më pak, sesa ajo që thanë kolegët e tjerë, duke kërkuar që të gjithë së bashku”, tha ai.
Edhe Arben Malaj i ka quajtur si shumë të renda akuzat e drejtuara ndaj profesor Rexhep Meidanit nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Malaj i quajti këto akuza si të pamatura.