Kanada, kërkojnë sponsor për dasmën në “Facebook”
Një çift të rinjsh në Kanada nuk ka dashur të tërhiqet nga dëshira për të organizuar dasmën e tyre dhe kanë menduar të kërkojnë sponsor për festën më të rëndësishme të jetës së tyre. 33-vjeçari Andrew Hall dhe e fejuara e tij 24-vjeçare Jane MacNeil kanë pasur idenë të përdorin rrjetin social “Facebook”, duke ofruar reklama në këmbim të donacioneve për dasmën e tyre. Ideja nuk ishte përdorur deri tani nga asnjë çift tjetër në botë. Çifti ka pasur sukses që me këtë metodë të sigurojnë për dasmën e tyre një di-xhej dhe një fotograf, ndërsa nusja 24-vjeçare është në bisedime me një kompani për bizhuteritë që do të vendosë në ditën e dasmës. Sipas gazetës së përditshme kanadeze, “Chronicle-Herald” e Halifax, çifti në këmbim ofron mundësinë e shpërndarjes së një kartoline me falënderime për sponsorët bashkëngjitur ftesës së martesës, ose emrin e kompanive që do të ofrojnë para apo produkte për ta në kartolinat e pakove të bonboneve, të cilat u jepen çdo të ftuari që i viziton në shtëpi, sipas traditës. Një tjetër mundësi për publicitet e ofruar nga çifti është që në dasmën e tyre të ketë persona që do të veshin bluza (T-shirt) me emrat e të gjithë dhuruesve gjatë festës së lamtumirës së beqarisë. Dhëndri i ardhshëm siguron se çdo gjë do të bëhet me maksimumin e kujdesit dhe të estetikës në dasmën e tyre, të cilat janë parashikuar për nëntorin e ardhshëm. Sigurisht që nuk do të ketë banderola apo slogane me emrat e sponsorëve që të shkruhen kudo. “Festa jonë është një martesë jo një pistë garash automobilistike”, tha për gazetën Hall.