Masakroi prostitutën, tutori para gjykatës
TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Tiranës dosja në ngarkim të shtetasit Ardian Mërtiraj, i akuzuar për shfrytëzimin e një shqiptareje si prostitutë në Gjermani. Mërtiraj u arrestua në Holandë në gusht të vitit 2008. Në nëntor të vitit 2009, ai u ekstradua në Shqipëri. Sipas prokurorisë, Mërtinaj akuzohet për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”. Dosja në ngarkim të tij pritet të kalojë në shqyrtim në ditët në vazhdim. Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtarin Arben Micko, si drejtues të gjykimit. Sipas organit të akuzës, veprimtaria e jashtëligjshme e Mërtirajt është shënuar në vitin 2004. Pasi është njohur me një studente në Tiranë, i ka premtuar se do ta merrte ne Gjermani. Dërgimi i saj në Gjermani është mundësuar nga një garanci prej shtetases gjermane Krista R. që ishte bashkëshortja e Mërtirajt në Gjermani. Pasi ka mbërritur në Gjermani, studentes i është kërkuar të prostituojë. Fillimisht e dëmtuara ka refuzuar. Për këtë shkak mbi të është ushtruar dhunë nga i pandehuri. Sipas prokurorisë, në vazhdim e dëmtuara është detyruar me forcë të ushtrojë prostitucion nën ndikimin e dhunës ç’njerëzore të të pandehurit. Në vitin 2007 e dëmtuara ndodhej në urgjencën e Essen në Gjermani, si rezultat i dhunës. Aty, nëpërmjet një shqiptari nga Kosova, është ndihmuar për t’u kthyer në Shqipëri. Pasi ka bërë kallëzim në organet kompetente, Gjykata e Tiranës caktoi në dhjetor të vitit 2007 masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Mërtirajn. Kjo masë sigurie u ekzekutua, kur ai u arrestua në Holandë në gusht të vitit 2008. ar.ba